Një lojtar “tepër” në listën e Silvinjos, ja cili futbollist mbetet në tribunë për ndeshjen e sotme
Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot në Pragë ndeshjen ndaj Çekisë, të vlefshme për Grupin B1 të Ligës së Kombeve. Kuqezinjtë kërkojnë me çdo kusht një fitore, për të mbajtur gjallë shanset e tyre për një prej dy vendeve të para që diskutojnë ngjitjen në Ligën A.
Në listën e trajnerit Silvinjo për këtë ndeshje janë 24 lojtarë, pavarësisht ndryshimeve që u bënë vazhdimisht në listë për shkak të mungesave e dëmtimeve. Meqë protokolli i ndeshjes ka vetëm 23 futbollistë, me 11 lojtarë në fushë e 12 në pankinë, atëherë Silvinjo është detyruar përsëri të çojë një futbollist në tribunë.
Këtë radhë, në rolin e spektatorit do të jetë mesfushori Feta Fetai, i ftuar së fundmi në grumbullimin e kuqezinjve. Mesfushori 19-vjeçar është një nga emrat që tërheq Silvinjon, por duket se braziliani mendon se ai nuk është ende gati për të dhënë kontributin e tij. Ndaj ndonëse është stërvitur me pjesën tjetër të ekipit këto ditë, Fetai do të jetë ai që do të qëndrojë në tribunë për takimin e sotëm.