Fri, Oct 11, 2024

Shqipëria, Daku: E dinim nivelin e vështirësisë, nuk shfrytëzuam rastet tona

  • PublishedOctober 11, 2024

Sulmuesi i Shqipërisë, Mirlind Daku tregoi këndvështrimin e tij pas humbjes 2-0 ndaj Çekisë.

“E dinim që do të ishte e vështirë dhe ambient i nxehtë. Edhe para 1 viti i mposhtëm 3-0 dhe e dinim që na pret një ambient i nxehtë. Patëm 2 shanse të mira, po të ishim më syhapur do bënim më mirë. Pas 2 ditësh luajmë me Gjeorgjinë dhe të jemi syhapur për të shfrytëzuar mundësitë tona.

Daku i Rubin Kazan? Unë vij me dëshirën më të madhe dhe nuk kursehem aspak për Kombëtaren. Nuk është se kemi shumë mundësi të njohim njëri-tjetrin. Unë për shembull nuk kam luajtur shumë minuta me lojtarët këtu. Shpresoj që të vijnë edhe golat dhe performancat e mira.

Në ato situata kishim problemin e mungesës së një numri 10-sh. Kur vinin topat e gjatë, Laçi ishte pak larg nga unë. Çekia ishte e organizuar mirë. Për një sulmues është më mirë kur ke një 10sh pas për të kapur ato topat e dytë.

Kur Çekia futet medoemos për të na mposhtur, kjo tregon që jemi rritur si ekip. Mund të jemi krenar pasi kudo ku luajmë, ekipet nuk na marrin si një skuadër për të kaluar ndeshjen. Tani jemi një tjetër divizion dhe kemi bërë ndeshje të mira e këto rezultate. Shpresoj të vazhdojmë kështu pasi kemi një rrugë të gjatë për të bërë.

Formacion me 2 sulmues? Këto i vendos trajneri, unë jam vetëm për të bërë maksimumin në minutat e mia”, tha Daku.

AlbaniaWeb.net