VIDEO/ Kosova fiton ndaj Lituanisë, vendosin Zhegrova dhe Krasniqi
Kosova triumfoi 1-2 ndaj Lituanisë në transfertë, në sfidën e vlefshme për Ligën e Kombeve. Ndeshja nisi me ritëm të lartë, me të dyja skuadrat që nuk hezituan të “ngacmonin” portën e kundërshtarit. Rasti i parë serioz i takoi “dardanëve” dhe erdhi në minutën e 11-të, kur gjatë zhvillimit të një goditje këndi, topi përfundoi te Rashica, i cili nuk u koordinua si duhet.
Me kalimin e kohës, mysafirët morën zemër dhe gjetën golin në minutën e 20-të. Edon Zhegrova shfrytëzoi në maksimum një asist të Muslijës, duke dërguar topin pas shpinës së porterit me një gjuajtje të bukur.
Të besuarit e Fodas preferuan të qëndrojnë në pritje pas golit të shënuar, duke rrezikuar jo pak. Lituania vendosi ekuilibrat me Gineitis në minutën e 33-të, por festa zgjati pak, pasi goli u anulua për pozicion të parregullt në fillim të aksionit. Në fakt, për të marrë një vendim, u desh sistemi VAR.
Kosova siguroi fitoren me golin e Kransiqit në minutën e 65-të. Sulmuesi 26-vjeçar, pas disa lëvizjesh, bën gjithçka mirë dhe realizon golin e parë me përfaqësuesen. Ekipi i Jankauskas ngushtoi shifrat në të 84-tën me Golubikas, gol i ardhur pas një dalje të pa studiuar mirë të portierit Saipi.
Në fund, 3 pikë me peshë të madhe për Rashicën me shokë, me këtë sukses që nuk shërben vetëm për renditjen, por është edhe një bonus i madh për në vijim.
Kosova renditet në vendin e dytë me 6 pikë në League C, grupi i dytë. Ndeshja e radhës është ajo ndaj Qipros.
Në krahun tjetër, Lituania e vendit të fundit me 0 pikë do të masë forcat me Rumaninë.
(J.S/)