Wed, Nov 27, 2024

“Tur force” për Vllazninë, rikthimi i kampionatit vë përballë shkodranët me sfida tepër delikate

  • PublishedOctober 13, 2024

Vllaznia do të rikthehet në fushë fundjavën e ardhshme, ku në kuadër të javës së nëntë do të jetë vizitore në Laç. Një duel dhe një fushë aspak e lehtë për këdo në Kategorinë Superiore. Dhe me kurbinasit, në nevojë emergjente për pikë, kjo ndeshje parashikohet e fortë për kuqeblutë, të cilët tashmë janë futur në ritmin e duhur në kampionat.

Por shkodranët do të kenë një tur force në rikthimin e kampionatit. Përveç transfertës laçiane, që mbyll fazën e parë të kampionatit, edhe nisja e fazës së dytë është “zjarr” për 9 herë kampionët e vendit. Kjo pasi në javën e dhjetë, kuqeblutë do të presin Partizanin në Shkodër. Të kuqtë janë kundërshtari direkt i sezoneve të fundit, ku dy ekipet kanë rivalizuar si për titull kampion, ashtu edhe për zonat e kompeticioneve të Europës.

Përjashtim nuk bën as ky sezon, ku si shkodranët, ashtu edhe kryeqytetasit duan minimalisht kalimin në “Final 4”. Pas “demave”, një tjetër skuadër nga kryeqyteti do të jetë kundër Vllaznisë në javën e 11-të. Fjala është për Tiranën, që do të presë shkodranët në shtëpi. Klasikja asnjëherë nuk mund të parashikohet dhe që mund të sjellë gjithmonë të papritura. Mbetet të shihet sesi do ta përballojnë kuqeblutë këtë tur force, pasi humbën vendin e parë në ndeshjen e shkuar.

AlbaniaWeb.net