Ukraina i kërkon Brazilit të arrestojë Putinin, nëse ai merr pjesë në samitin e G20-ës/ Kryeprokurori: Janë të detyruar, nëse ai ka guxim të shkojë
Kryeprokurori i Ukrainës ka thënë të hënën se ka informacion se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, mund të marrë pjesë në samitin e G20-ës në Brazil muajin e ardhshëm, prandaj u bëri thirrje autoriteteve atje ta arrestojnë atë nëse shfaqet.
Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) në Hagë lëshoi fletarrestim për Putinin në mars 2023, rreth një vit pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës, duke e akuzuar atë se ka kryer krime lufte duke dëbuar fëmijë.
Rusia i mohon akuzat për krime lufte dhe Kremlini e ka hedhur poshtë fletarrestimin e ICC-së si “të pavlefshëm”.
I pyetur nëse Putini ka vendosur të marrë pjesë në takimin e 20 ekonomive më të mëdha të botës, zëdhënës i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha për gazetarë të hënën: “Jo. Do t’ju njoftojmë kur ta kemi një vendim”.
Prokurori i përgjithshëm i Ukrainës, Andriy Kostin, tha për Reuters se “është e rëndësishme që bashkësia ndërkombëtare të jetë e bashkuar dhe ta mbajë përgjegjës Putinin”.
“Për shkak të informatave që Putini mund të marrë pjesë në samitin e G20-ës në Brazil, dua ta përsëris se autoritetet braziliane janë të detyruara, si shtet anëtar i Statutit të Romës, ta arrestojnë atë, nëse ai ka guxim të vijë”, tha Kostin, duke iu referuar traktatit që e themeloi GJNP-në.
“Shpresoj vërtet se Brazili do ta arrestojë atë, duke e ritheksuar statusin e vet si demokraci dhe si një shtet që qeveriset mbi sundimin e ligjit”, tha ai.
Dështimi për ta bërë këtë rrezikon ta vendosë një precedent, sipas të cilit, liderët e akuzuar për krime mund të udhëtojnë pa u ndëshkuar.
Brazili ia dërgoi Putinit një ftesë standarde për samitin e 18-19 nëntorit në Rio de Zhaniero, por nuk ka pranuar ndonjë shenjë se ai ka ndër mend të marrë pjesë, sipas dy zyrtarëve të Qeverisë braziliane.
Pavarësisht fletarrestimit të GJNP-së, Putini ishte në një vizitë shtetërore në Mongoli në shtator. Ukraina e kritikoi dështimin e saj për ta arrestuar Putinin si goditje ndaj drejtësisë ndërkombëtare.
Vitin e kaluar, megjithatë, Putini nuk ishte i pranishëm në takimin e vendeve të BRICS-ut në Afrikën e Jugut, duke marrë pjesë online./ REL
AlbaniaWeb.net