Ditë e re, detaje të reja! Diddy akuzohet për sulm seksual ndaj një adoleshenti
Sean “Diddy” Combs po përballet me akuza të reja për përdhunim, abuzim seksual dhe sulm seksual.
Të paktën gjashtë padi u ngritën në gjykatën federale të New York nga dy gra dhe katër burra. Ato përfshijnë akuza që shtrihen nga viti 1995 deri në vitin 2021.
Akuzuesit e paidentifikuar pretendojnë se disa nga sulmet ndodhën në festat e Combs, ku morën pjesë të famshëm dhe artistë të mëdhenj të muzikës. Avokatët e Diddy i mohuan akuzat, duke thënë në një deklaratë për BBC se ai “asnjëherë nuk ka sulmuar seksualisht askënd – të rritur apo të mitur, burrë apo grua”.
Një nga akuzuesit tha se ishte 16 vjeç kur mori pjesë në një nga festat në Hamptons në vitin 1998. Në padi, ai përshkruan se ishte i emocionuar për të marrë një ftesë për festën e Diddy-t.
Akuzuesi tha se pa shumë të famshëm dhe artistë të muzikës teksa ecte përreth dhe u përplas me Combs ndërsa ai ishte rrugës për në tualet. Ai tha se filloi të fliste me Combs për hyrjen në industrinë e muzikës kur ata shkuan në një vend më privat. Akuzuesi pretendon se gjatë bisedës së tyre, Combs e urdhëroi që të zhvishej.
Padia përfshin një foto të çiftit së bashku në festë me fytyrën e adoleshentit të mjegulluar.
Sipas padisë, Combs tha se ishte “një rit i kalimit” dhe “rruga për t’u bërë yll”. Reperi i tha adoleshentit se mund ta bënte këdo një yll dhe adoleshenti kishte “dukjen e duhur”.
Një tjetër padi e ngritur të hënën përfshin akuzat nga një grua që pretendon se Combs e përdhunoi atë në një dhomë hoteli në vitin 2004, kur ajo ishte një studente kolegji 19-vjeçare.
Sipas padisë, ajo u takua me Diddy-n në një fotosesion, ku më pas ai e ftoi atë dhe një mik të merrnin pjesë në një festë private në hotelin e tij. Sapo mbërritën, padia pretendon se Combs “e përkëdheli, e ngacmoi dhe në fund e përdhunoi” pavarësisht se ajo vazhdimisht i kërkoi atij të ndalonte.
Avokati me bazë në Teksas, Tony Buzbee, i cili po përfaqëson akuzuesit, tha se ai po përfaqëson më shumë se 100 njerëz që planifikojnë të padisin reperin për akuzat për sulm seksual, përdhunim dhe shfrytëzim seksual.