“Qeveri kujdestare si në Maqedoninë e Veriut”, zyrtarët e PD takojnë diplomaten e vendit që shpalli Berishën non-grata: Kreu i PD, Salianji e Malltezi të burgosur politikë
Diplomatja Shakira Birtwhistle, e cila ndjek çështjet politike në Ambasadën Britanike në Tiranë, u takua në selinë e Partisë Demokratike me Drejtuesen e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë Ilda Zhulali dhe Drejtuesin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Ilir Alimehmeti.
Në takim u diskutua situata politike, ku përfaqësuesit e PD i përcollën qëndrimet mbi domosdoshmërinë për qeveri kujdestare me synim sigurimin e standardeve minimale për zgjedhjet e vitit 2025.
Kjo skemë e përdorur me sukses në Maqedoninë e Veriut mund dhe duhet të zbatohet në Shqipëri, si garanci minimale për zgjedhje garuese.
Kjo përputhet dhe me dy rekomandimet prioritare të OSBE/ODIHR që kërkojnë marrjen e masave për keqpërdorimin e burimeve shtetërore si armë për tjetërsimin e votës dhe shitblerjen masive të votës përmes fondeve publike.
Përfaqësuesit e PD e informuam diplomaten britanike për “burgosjen politike të Kryetarit të opozitës, Sali Berisha, nënkryetarit të Grupit Parlamentar, Ervin Salianji, anëtarit të Këshillit Kombëtar, Jamarbër Malltezi, dhe kërcënimit publik drejtuar kryetarit të Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi”.
Në fund të takimit u ra dakord për shpeshtim të kontakteve mes Ambasadës Britanike dhe përfaqësuesve të PD.
AlbaniaWeb.net