Sat, Nov 23, 2024

Asllani “luan” të ardhmen, në Itali presin që mesfushori të shpalosë kualitetin, ndaj Young Boys shansi i duhur

  • PublishedOctober 17, 2024

Kristjan Asllani u rikthye tek goli dhe tek performancat shumë të mira dhe këtë gjë e bëri me fanellën e kombëtares tonë, në sfidën e fituar 0-1 me gol të mefushorit elbasanas, ndaj Gjeorgjisë. Tashmë ai do të rikthehet me klubin e tij Interin, me kampionët e Italisë, të cilët prej kohësh presin që mesfushori shqiptar të bëjë performanca edhe më të mira sikundër bë me kombëtaren e tij. Tek Inter, Asllani po luan sezonin e tij të tretë dhe sipas së përditshmes La Gazzetta dello Sport, ai është një futbollist me kualitet, por që ende nuk ka qenë në gjendje të shpreh maksimumin e tij me këtë skuadër.

Kjo ndoshta sepse Inter, është një ambjent i vështirë, një klub me shumë histori, ku kërkesat si nga tifozët po  ashtu edhe nga klubi janë shumë të larta e që ndikojnë që edhe shumë futbollistë me kualitet të mos shprehen në 100% e tyre, apo sepse në rolin e tij, luan mesfushori turk Çalhanoglu, i cili sot për sot është nga lojtarët më të mirë në botë në atë rol.

Edhe gazetari i njohur italian, i njohur si tifoz i klubit zikaltër ka pranuar se ka mbështetur gjithmonë Kristjan Asllanin, por ai nuk është në gjendje të rivalizojë për një fanellë titullari me turkun Çalhanoglu. Sipas tij, sfida e ardhshme në Champions, ku Inter do të ketë një kundërshtar të lehtë në letër si zviceranët e Young Boys do të jetë vendimtare për të, pasi nëse Asllani nuk luan as në atë sfidë, atëherë Inter ndoshta duhet të marrë masa për t’i gjetur mesfushorit të kombëtares tonë një sistemim diku tjetër. Aq më tepër që në këtë javë, mediat italiane kanë bërë me dije, se Inter ka nisur të studiojë profile të tjerë lojtarësh në atë rol, një prej të cilëve është edhe Samuele Ricci.

Asllani
 
Asllani 1
 
Asllani 2
 
AlbaniaWeb.net