Thu, Oct 17, 2024

Përgjimet e Sky Ecc, të ligjshme! Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut vendosi që të përdoren si prova

  • PublishedOctober 17, 2024

Kur Gjykata Kushtetuese në Shqipëri nuk ka caktuar ende një datë për të shqyrtuar çështjen SkyEcc prej nga ku SPAK finalizoi  dosjen Metamorfoza, Strasburgu është shprehur për një kazus  të ngjashëm mbasi u vu në lëvizje nga dy shtetas britanikë të arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar.

Strasburgu nuk e ka pranuar kërkesën e dy aplikantëve nën hetim  si përdorues të aplikacionit EnchroChat, të cilët pretenduan se të dhënat ishin marrë në mënyrë të paligjshme nga autoritetet franceze dhe që më pas u përdorën  në ndjekjen penale kundër tyre në Britani. Strasburgu deklaron se aplikantët nuk kanë shteruar mundësitë për t’iu drejtuar të gjitha shkallëve të gjykimit të brendshëm për të sfiduar marrjen dhe transferimin e të dhënave të tyre në Angli.

Që sipas sugjerimit të Strasburgut duhet të ishte  gjykata franceze përderisa Franca ka juridiksion mbi çështjen pasi operacioni i mbledhjes të të dhënave ishte kryer në territorin francez dhe të dhënat u ruajtën dhe u shpërndanë nga atje pavarësisht se disa prej tyre ishin individë jashtë Francës.

Por çfarë do të thotë për dosjet që po hetohen në Shqipëri ky konstatim i Strasburgut që referon gjykatën e brendshme franceze? Ajo që dihet është se në Francë, bisedat në Sky Ecc dhe në Enchro janë konsideruar të ligjshme nga gjykata e lartë franceze dhe Kasacioni atje, në 5 shtator 2023 ka hedhur poshtë pretendimet se prokurorët francezë  dështuan në detyrën e tyre për të siguruar një certifikatë për të verifikuar saktësinë e të dhënave Enchrochat të përdorura si prova në ndjekjen penale.

Dhe në Shqipëri kjo do të thotë se teksa gjykata kushtetuese po mbledh qëndrimet e palëve mes tyre avokatë të të arrestuarve të Metamorfozës dhe nga ana tjetër të SPAK, një tjetër lëvizje është ajo e grumbullimit të qëndrimeve të gjykatave të huaja, më kryesorja të Strasburgut dhe të gjykatave të tjera, ku do të përfshihet edhe vendimi i datës 17 tetor.



AlbaniaWeb.net