Gjykata italiane urdhëron transferimin në Itali të 12 emigrantëve të Gjadrit
Një gjykatë në Itali duket se i vuri vulën projektit të kushtueshëm dhe kontrovers të procesimit të azilkërkuesve nga vendet e sigurta në Shqipëri pasi, mbështetur në një vendim të 4 tetorit të këtij viti nga gjykata e Stransburgut, urdhëroi ridërgimin në Itali të të 12 emigrantëve aktualisht të strehuar në kushtet e burgosjes në Gjadër.
Gazeta La Repubblica njoftoi se gjyqtarja Luciana Sangiovanni në një njoftim për shtyp se transferimi i kryer nga qeveria italiane i këtyre migrantëve nga Deti Mesdhe për në Shëngjin është kryer në shkelje të parimeve udhëheqëse të sanksionuara nga vendimi më i fundit mbi këtë çështje të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe për rrjedhojë, migrantët duhet të dërgohen pas në Itali.
“Paraburgimet nuk janë kryer në aplikim të parimeve udhëheqëse të shpallura nga vendimi i kohëve të fundit të Gjykatës Evropiane pas një kërkese për këshillë nga një gjyqtar i Republikës Çeke,” thuhet në njoftimin e cituar nga La Repubblica.
Sipas vendimit të datës 4 tetor të Gjykatës së Strasburgut, për të cilin ekspertët patën arsyetuar më herët se i jep fund planit të Melonit dhe Ramës për t’i procesuar disa prej azilkërkuesve në Shqipëri, një vend anëtar i Këshillit të Evropës nuk mundet të shpallë një vend në tërësi si “të sigurt” në rast se pjesë të atij vendi nuk janë të sigurta.
“Personat në fjalë kanë të drejtë për rrjedhojë të priten në Itali,” thuhet në njoftim.
Plani i Melonit parashikon “përpunimin” e 3 mijë migrantëve të kapur në det, kryesisht në Mesdhe, në Shëngjin dhe Gjadër, mbi 1,200 kilometra rrugë vetëm ardhje. Por qeveria italiane nuk mundet të sjellë në Shqipëri migrantë që vijnë nga vende të klasifikuara si jo të sigurta, ku përfshihen vendet në luftë apo nën diktatura, të tilla si Sudani apo Eritrea. Edhe nga vendet e sigurta, ku përfshihen shumë pak shtete, Italia nuk është në gjendje që të sjellë në Shqipëri minorenët, të sëmurët, gratë apo ata që janë kapur bashkë me familjen.
Koncepti italian për “vend të sigurt”, në bazë të së cilit migrantët nga Egjipti dhe Bangladeshi u sollën në Shqipëri, u rrëzua nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut për shkak se që të dyja këto vende janë zona të nxehta, ku jetesa nuk është e sigurt.
Italia ka shpenzuar deri tani dhjetëramilionë euro për ndërtimin e dy kampeve, shpenzime që tashmë duken të kota.