Fri, Oct 18, 2024

Tri mungesa për Gvozdenoviç në Ballsh, një balotazh te Skënderbeu

  • PublishedOctober 18, 2024

Shtohen vështirësitë për Skënderbeun para transfertës së Ballshit, e vlefshme për javën e 9-të të kampionatit të Superiores. Do të jenë të paktën tri mungesat për këtë ndeshje në radhët e korçarëve, duke e bërë trajnerin Ivan Gvozdenoviç me dhimbje koke në një moment tepër delikat.

Sulmuesi Ardit Nikaj nuk mund të luajë për shkak të një dëmtimi muskulor që pësoi kur ishte i grumbulluar me Kombëtaren U-21. Ai do të mungojë të paktën këtë fundjavë. Nuk është gati as një nga afrimet e fundit të Skënderbeut, Liridon Balaj, pasi për këtë futbollist nuk ka ardhur ende leja e kalimit. Mungesa tjetër është e ditur që në ndeshjen me Egnatian, ku mbrojtësi Vaskez u ndëshkua me karton të kuq dhe është i padisponueshëm për trajnerin Gvozdenoviç.

Janë mungesa që peshojnë, pasi mbrojtësi Vaskez dhe sulmuesi Nikaj kanë qenë titullarë te korçarët. Megjithatë, juglindorët besojnë se me lojtarët e tjerë që kanë në skuadër mund të bëjnë kthesën në fushën e Bylisit.

BALOTAZHI – Nëse vendin e Vaskez në mbrojtje pritet ta marrë braziliani Ramos, për vendin e Nikajt në sulm ka më shumë kandidatë dhe trajneri Ivan Gvozdenovioç duhet të vendosë se cilin do të hedhë në fushë nga minuta e parë. Etien Tare dhe Tajo Razak Abiodun garojnë për të plotësuar treshen e sulmit në Skënderbeut në Ballsh, bashkë me Bismark dhe Rashicën. Tare dhe Tajo nuk kanë pasur mundësi të marrin minuta deri tani, që të dy janë aktivizuar si zëvendësues vetëm në një ndeshje. Ndoshta ka ardhur momenti që njëri prej tyre të luajë ndeshjen e parë si titullar në këtë kampionat.

Por ka edhe një alternativë tjetër, që është Foti Çuçka, ish-lojtari i Luzit sezonet e fundit. Që të tre këta sulmues janë me moshë të re, por te Skënderbeu ky nuk është një problem, pasi vazhdimisht u ka dhënë besim elementëve të rinj. Korçarët po kalojnë një krizë rezultatesh, siç ka pohuar për gazetën edhe vetë trajneri Gvozdenoviç. Ndeshjen me Bylisin ata e shohin si pikën e kthesës, edhe pse kundërshtari është i fortë në fushën e vet dhe Skënderbeu do të duhet të vuajë mungesa të rëndësishme.

AlbaniaWeb.net