Vota e diasporës, KQZ paralajmëron sfida me afatet zgjedhore
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka informuar partitë politike parlamentare se votimi i qytetarëve shqiptarë mbart rrezikun e dështimit.
Në një letër dërguar 7 partive që kanë përfaqësues në Kuvend, KQZ informon se ka zhvilluar një takim me të gjithë operatorët e shërbimit postar ndërkufitar, ku është konkluduar se afatet zgjedhore të tanishme mund të pamundësojnë votimin e diasporës.
Celibashi informoi partitë se kompanitë e shërbimit postar kërkojnë 30 deri në 45 ditë për dërgimin dhe mbërritjen e fletës së votimit, ndërkohë që KQZ ka afat vetëm 10 deri në 12 ditë.
Sipas tij, duke iu referuar përvojës në vende të tjera të Europës që aplikojnë votën e diasporës, afatet ende lënë vend për dyshime nëse procesi mund të dështojë.
Mësohet se KQZ ka kryer edhe testime për votimin nga jashtë, por rezultati ka qenë zhgënjyes pasi procesi i dërgimit dhe mbërritjes së zarfit nuk është realizuar brenda 10 ditësh.
AlbaniaWeb.net