Asllani shqetëson Inzaghi-n, një goditje në stërvitje vendos në pikëpyetje prezencën në Romë
Një perlë e Asllanit i dhuroi Shqipërisë një tre pikësh të artë ndaj Gjeorgjisë, një gol që i shërben shumë edhe yllit kuqezi për të fituar besim. Goli i Asllanit u festua edhe në radhët e Inter, pasi trajneri i Inzaghi dhe stafi i këtij kërkojnë që legjionari kuqezi të jetë në kushte perfekte përpara një kalendari shumë të ngjeshur.
Për fat të keq, rikthimi i tij në Milano nuk ka shkuar sipas parashikimeve pasi një goditje e marrë gjatë seancës së fundit stërvitore bëri që Asllani ta ndërpriste në mes.
Sipas mediave italiane, gjendja e Asllanit do të monitorohet në vazhdimësi, por për momentin është në dyshim të fortë për super sfidën përballë Romës. Në fakt, Asllani nuk ishte në kushte perfekte as gjatë grumbullimit të tij me ekipin përfaqësueses për dy ndeshjet e muajit tetor, madje në fillim ishte në dyshim, pasi u stërvit në mënyrë të diferencuar.
Nëse Asllani nuk rikuperohet në kohë, kjo do të ishte një dhimbje koke për trajnerin Inzaghi i cili së fundmi ka humbur edhe shërbimet e Zielinski-t.
()