Pensionistët e Durrësit sfidojnë vitet mes valëve të detit
Deti dhe noti kanë qenë gjithmonë “palestra e hapur” për durrsakët e të gjitha moshave, por kohët e fundit, ujërat e tij thuajse janë braktisur nga të rinjtë, dhe frekuentuesit kryesorë të notit janë të moshuarit.
Moshat e reja drejtohen drejt palestrave edhe në stinën e verës, ndërsa pensionistët i gjen çdo ditë në bregdet, edhe tani që muaji tetor po kalon gjysmën.
Ali Kila e festoi 83-vjetorin e lindjes mes moshatarëve të tij, në një nga lokalet modeste buzë detit. Nuk u larguan shumë nga bregu ku mblidhen çdo ditë për të kaluar kohën, por edhe për të notuar.
Noti është arsyeja kryesore që i mbledh së bashku, menjëherë pasi palosin rrobat në shkallaret e “Sfinksit”, siç quhet vendi ku janë të detyruar të mblidhen për shkak të mungesës së një plazhi publik.
“Aliu noton çdo ditë 1-2 km,” tha për BIRN Ben Dodbiba nga Elbasani, i cili e konsideron veten me fat për miqtë e rinj që ka gjetur në Durrës.
“Asnjëri prej tyre nuk qëndron gjatë në kafene, pjesën tjetër të kohës e plotësojnë me plazh, not dhe ndonjë punë shtëpie,” shtoi ai.
Hysen Goni kalon tre muaj në vit në Norvegji, ku jeton dhe punon e bija. Ceni, siç e thërrasin moshatarët, noton rreth një orë e gjysmë çdo ditë. Nga plazhi i Bërrylit, shkon deri te muri i portit dhe kthehet përsëri.
Ai përpiqet të bindë moshatarët që të notojnë, sepse sipas tij, “deti është një palestër e hapur dhe nuk kërkon asnjë shpenzim.”
“Shkoj rregullisht në Norvegji dhe Itali, por mendjen e kam në Durrës, jo vetëm sepse kam miq dhe shokë, por mbi të gjitha sepse gjej detin,” tha 74-vjeçari, që ka punuar në dy uzina në Shkozet të Durrësit dhe në Barleta të Italisë.
Një tjetër pensionist, Adriatiku, 68 vjeç, noton çdo ditë. Tani që numri i vizitorëve të plazhit ka rënë ndjeshëm, shokët e dallojnë kokën e tij pa kapele notimi, që shihet dhe humbet rregullisht nën ujë.
Ceni, Adriatiku, Sandri, Bilali, Ar Gjeli, dhe Kavija, siç e thërrasin Dilaver Barushin 70-vjeçar, preferojnë të notojnë vetëm.
Të gjithë në gjendje të mirë shëndetësore, atyre u mungon barku i tepruar i moshës.
Por fatkeqësisht, shumë pak të rinj notojnë përkrah të moshuarve në plazhin e Bërrylit.
Gabriel Bardheti është rreth gjysmës së moshës së frekuentuesve të këtij plazhi. Ai nuk i ka kaluar ende 30 vjetët, por e ka gjetur zgjidhjen për stërvitje në lojën e futbollit “kalçeto”.
“Shumica e të rinjve shkojnë në palestra,” tha ai. “Aty gjejnë edhe miqësi, por mbi të gjitha arrijnë më shpejt rezultatet për një trup të bukur,” shtoi Bardheti.
Sipas Gabrielit, vetëm në lagjet qendrore të Durrësit ka mbi 10 palestra, të cilat frekuentohen nga 60 deri në 200 abonime në vit.
“Ndërsa noti konsiderohet nga moshatarët e mi si i lodhshëm, dhe njeriu ndihet i vetmuar për një kohë të gjatë,” shtoi Gabrieli, i cili trajnon moshat e reja në futboll.
“Noti është monoton. Të rrish në det mbi një orë duke notuar i vetëm, nuk ka asnjë kuptim. Në palestër gjen shokë sa të duash. Punë e madhe se duhet të paguash,”, tha Arditi, 26 vjeç, teksa qëndron i ulur në një nga baret përballë detit.
Gratë dhe vajzat tani në tetor vijnë më rrallë në plazhin që po zbrazet nga pushuesit. Gjatë verës, ato janë të parat që hyjnë në ujë dhe shëtisin gjatë, duke përdorur guralecët dhe trysninë e ujit të detit si terapi.
Ndërsa tani, bregu është mbushur me leshterikë që sjell deti me shumicë, dhe shumë pak gra e vajza vazhdojnë të notojnë, çka mbetet një “pronë” e burrave të moshuar.
Në tavolinën ku festohet ditëlindja e Aliut po tregojnë për miqtë që i janë bashkuar viteve të fundit në “aventurën e bukur” të notit.
“Shumica kanë qenë punëtorë më parë, por ka edhe qejflinj të notit me të kaluar pune në administratë.”
Aliu tregon për prof. Halit Xhafën, një nga personalitetet tona në fushën e pedagogjisë universitare ekonomike dhe autor i disa librave mbi këtë temë.
“Haliti ka kaluar të 70-at dhe tani noton çdo ditë, duke mos u shkëputur nga vendtakimi ynë, bashkë me Alush Kuçin, ekonomistin dhe pedagogun e universitetit të Durrësit.”
Niko Kurani, një ish-kampion noti në vitet ‘60 – ‘70, kujton se noti ishte një nga zbavitjet kryesore për durrsakët në atë periudhë.
“Ekipet e moshave ishin plot me sportistë, dhe stërvitjet realizoheshin gjatë gjithë vitit në det, pasi mungonte një pishinë,” kujtoi Niko, kur flet për mungesën e të rinjve në palestrën e hapur detare.
“Të gjithë në det, noti nuk njeh moshë,” vlerësoi kampioni i njohur 80-vjeçar, duke shtuar se mësuesit e fiskulturës në shkollat e Durrësit duhet të bëjnë më shumë në këtë drejtim.
Dy orë më parë, Gabriel Bardheti na tregoi për periudhën kur palestrat e mbyllura në qytet mbushen nga kërkesat.
“Numri më i madh i abonimeve në palestra është në maj. Pikërisht atëherë, vajzat dhe djemtë synojnë të kenë një trup të bukur e muskulor për sezonin veror,” tha ai. “
Kështu, bëjnë figurë të mirë në plazhe, por megjithatë notojnë shumë pak,” përfundoi Bardheti.