U arrestua me urdhër të SPAK/ Ish-deputeti lë ambientet e policisë së Durrësit dhe dërgohet drejt Tiranës
Ish-deputeti Jurgis Çyrbja pasi qëndroi në ambientet e drejtorisë vendore të policisë së Durrësit, po transferohet drejt Tiranës.
Ndërkohë në Shijak po kryhen kontrolle banesash në kuadër të hetimit të SPAK, sipas gazetares së AlbaniaWeb.net, Vali Qyrfyçi.
Ish-deputeti i PS, Jurgis Çyrbja është arrestuar këtë të diel me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ai u arrestua sot së bashku me Ahmet Mashën, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Mbi ish-deputetin rëndojnë veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”.
“Nisur nga interesi i madh i mediave ju komunikojmë se Policia e Shtetit ka ekzekutuar sot masën e sigurimit arrest ne burg të caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuat ndaj shtetasit Jurgis Çyrbja, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe “Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit” parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal. Nesër do të ketë një njoftim për shtyp me më shumë detaje”, theksohet në informacionin e SPAK.
Ish-deputeti dyshohet se ishte përdorues i aplikacionit SKY dhe se bashkëpunoi me personazhe të një grupi kriminal në Durrës.
Pas akuzave për shpërdorim detyre dhe thirrjes në ambientet e SPAK, Çyrbja vendosi që ta linte mandatin e deputetit.
Çyrbja gjithashtu akuzohet se ka shpërdoruar detyrën me firmat që ka hedhur në 4 raste mbi pronësinë e gati 25 mijë metra katrorë tokë në zonën e Rrashbullit në Durrës.
Hetimet ndaj tij lidhen me postin e drejtorit të hipotekave në këtë qytet, një detyrë që e mbajti deri në 2017 kur edhe mori mandatin e parë në parlament.
I kallëzuar prej vitit 2021 nga deputeti Edi Paloka, ai këmbënguli se nuk ka shpërdoruar detyrën dhe se nuk kishte kompetenca të kontrollonte praktikat që i delegoheshin nga vartësit.
AlbaniaWeb.net