Reijnders bën “djallin”, por Brugge tremb Milan, Fonseca “ndëshkon” Leao-n
Një fitore 3-1 në Champions është një arsye e fortë për të festuar, por Milan kapet fort pas pikëve, pasi në fushë ekipi i Fonseca-s vuajti jashtëzakonisht shumë kundër Brugges, me belgët që trembën “djallin” brenda në “San Siro”.
U desh një gol i veçantë, me shumë fat i Pulisic për të zhbllokuar ndeshjen, me amerikanin që dërgoi topin në rrjetë drejtpërdrejtë nga goditja e këndit. Jo vetëm kaq, por në fundin e pjesës së parë, Milan e pa veten në superioritet numerik pasi Brugge mbeti me 10 lojtarë.
Pavarësisht këtij detaji, miqtë u rikthyen në lojë në minutën e 51-të, me Sabbe që barazoi shifrat në 1-1. Fonseca ndërhyri në formacion duke larguar Loftus-Cheek dhe Leao, me Okafor dhe Chukwueze që rezultuan dy lëvizje të gjetur pasi ndryshuan totalisht rrjedhën e takimit.
Stafetën e mori Reijnders, me holandezin që u shërbye në zonë në minutën e 61-të, me një goditje të saktë riktheu Milan në avantazh. Me një aksion thuajse të ngjashëm në minutën e 71-të, Reijnders këtë herë u shërbye nga Chukwueze duke kompletuar “dopietën” e tij personale dhe golin e tretë për kuqezinjtë që i dhuroi fitoren e parë në këtë edicion të Champions League:
“Goditje prej djalli. Del Leao, futen Okafor e Chukwueze që tërbojnë Reijnders”, shkruan La Gazzetta dello Sport në faqen e parë. I kënaqur për këtë 3-pikësh u shfaq dhe trajneri Fonseca: “Zhvilluam një ndeshje pa intensitet, ishim të lehtë në qarkullim e topit, por futja e Okafor dhe Chukwueze ndryshoi ndeshjen, sollën energji të tjera. Pas golit të dytë bëmë gjëra të mira. Leao? Nuk ka asgjë problem specifik me të. Zëvendësimi nuk ishte një ndëshkim”.