Sat, Nov 23, 2024

Vllaznia në ankth, Balaj mban peng 11-shen kundër Partizanit

  • PublishedOctober 23, 2024

Kapiteni Bekim Balaj vijon të mungojë për Vllazninë. Sulmuesi, i cili nuk ishte i gatshëm për shkodranët as në ndeshjen e fundit kundër Laçit, vijon të mungojë në stërvitje për shkak të një dëmtimi që e ka detyruar të ndalet.

 

Shtatlarti nuk ishte i pranishëm as ditën e djeshme në seancën stërvitore të kuqebluve, çka shton ndjeshëm shanset që ai të mund të mungojë edhe në duelin e radhës kundër Partizanit. Pavarësisht se dëmtimi i 33-vjeçarit në fillim nuk u mendua i rëndë, pasi parashikohej të mungonte vetëm 3-4 ditë, diçka e tillë nuk ka ndodhur dhe situata duket ende e paqartë. Megjithatë në ditët në vijim do të qartësohet akoma më tepër nëse ish-sulmuesi i Kombëtares do të jetë i gatshëm në fundjavë apo jo.

Edhe nëse sulmuesi do të arrijë të rikuperohet për këtë ndeshje, vështirë që Brdariç të rrezikojë për ta aktivizuar nga minuta e parë. Sakaq, klubi njofton se në stërvitjen e djeshme janë kthyer edhe Ardit Deliu dhe Esang Matuti, të cilët kanë vuajtur probleme fizike. Pavarësisht rikthimit, duket e vështirë që kjo dyshe të luajnë kundër Partizanit, pasi duhet të hyjnë në ritmin e duhur dhe të gjejnë kushtet e nevojshme fizike.

KTHIM NË SHTËPI – Vllaznia do të presë Partizanin këtë fundjavë në “Loro Boriçi” në orën 19:30. Shkodranët më në fund rikthehen të luajnë në shtëpinë e tyre, pas më shumë sesa një muaji. Kjo për shkak se fusha ka qenë duke u mbjellë dhe është pritur që procesi të kryhet i plotë dhe të mos rrezikohet një dështim i mundshëm. Këto punime kanë bërë që shkodranët t’i luajnë tri ndeshjet e fundit në kampionat jashtë fushe. Betejën ndaj Elbasanit, sipas kalendarit do ta luante në shtëpi, por skuadrat ranë dakord për ndërrim fushash.

Ndeshja e fundit që kuqeblutë kanë zhvilluar në “Loro Boriçi” daton më 22 shtator 2024 kundër Bylisit. Këtë duel 9 herë kampionët e vendit e fituan me rezultatin 2-0. Që nga ajo periudhë shkodranët kanë luajtur jashtë stadiumit të tyre kundër Dinamos, Elbasanit dhe Laçit. Ndeshje të cilat Vllaznia ka humbur ndaj Dinamos (2-1), po ashtu ndaj Laçit (3-1) dhe ka barazuar 0-0 kundër Elbasanit. Kthimi në shtëpi patjetër që mund të ndryshojë edhe rezultatet e Vllaznisë, që para tifozërisë së tyre duan të kthehen te fitorja, e cila mungon prej 3 ndeshjesh radhazi për ekipin e Brdariç.

AlbaniaWeb.net