Problemet me korrupsionin, Veliaj ndryshon 12 drejtorë të bashkisë
Ndryshimet prekin drejtoritë që menaxhojnë sektorë me rëndësi për kryeqytetin dhe vijnë në një moment kur shumë ish-drejtues apo drejtorë aktualë të kësaj bashkie po përballen me akuza për korrupsion.
Akuzat kryesore për korrupsion lidhen me të ashtuquajturën “Dosja 5D,” e cila çoi në arrestimin e Redi Mollës dhe Mariglen Qatos, dy drejtues jetëgjatë të bashkisë Tiranë gjatë qeverisjes së kryetarit Erion Veliaj. Ata akuzohen për manipulim tenderësh, korrupsion dhe pastrim parash.
Gjykata e Posaçme vendosi masa sigurie në prill të këtij viti edhe për disa drejtorë të tjerë të bashkisë, të akuzuar për manipulim tenderësh.
Me ndryshimet e reja, duket se kryebashkiaku Veliaj ka riformatuar pothuajse të gjithë ekipin e tij duke ndryshuar drejtimin e 12 drejtorive, pa dhënë një argumentim publik për këtë vendim.
Në krye të Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve do të shkojë Elda Muçi, e cila zëvendëson Elton Kacidhen, i cili po përballet gjithashtu me hetime nga Prokuroria e Posaçme për përfshirjen në dosjen 5D. Në krye të Policisë Bashkiake do të jetë Toni Beni, në Ndërmarrjen e Rrugëve dhe Ndriçimit – Piro Sinjari, në Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit – Blerta Dardha, Tirana Parking – Flavio Barçi, në menaxhimin e Qytetit Studenti – Renato Pashollari, ndërsa Kopshti Zoologjik do të drejtohet nga Ervis Rrahmani.
Veliaj ka ndryshuar gjithashtu drejtorët e dy qendrave sociale dhe drejtimin e Shtëpisë Studio “Kadare-Agolli.”
As zyra e shtypit e Bashkisë dhe as kryebashkiaku Veliaj nuk iu përgjigjën pyetjes së BIRN-it për arsyet e këtyre ndryshimeve deri në publikimin e këtij shkrimi.
Duke marrë shkas nga akuzat e ngritura nga prokuroria për korrupsion ndaj ish-drejtuesve të bashkisë, opozita ka nisur një valë protestash të përjavshme para godinës së bashkisë Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut Veliaj dhe duke e bërë atë përgjegjës direkt për aferën korruptive “5D.”