Fri, Nov 1, 2024

“Të ndalet bashkëpunimi i paligjshëm”, Seuli kritikon Moskën për ratifikimin e traktatit të mbrojtjes me Penianin

  • PublishedOctober 25, 2024

Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut ka shprehur “shqetësim të thellë” më 25 tetor, pasi Rusia ratifikoi traktatin e saj të mbrojtjes me Korenë e Veriut, duke i bërë thirrje sërish Moskës që të ndalë “bashkëpunimin e paligjshëm” me Phenianin.

Të enjten, ligjvënësit rusë votuan në mënyrë unanime për ratifikimin e traktatit të mbrojtjes me Korenë e Veriut që ofron “ndihmë të ndërsjellë” nëse ndonjëra palë përballet me agresion.

Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se mijëra trupa të Koresë së Veriut po trajnohen në Rusi, ndërkaq Ukraina tha gjatë kësaj jave se ushtarët kanë arritur “në zonën e luftës” në rajonin kufitar rus të Kurskut.

Koreja e Veriut dhe Rusia paraprakisht kanë mohuar dislokimin e trupave koreanoveriore.

Seuli “shpreh shqetësim të thellë për ratifikimin nga Rusia të traktatit të mbrojtjes me Korenë e Veriut në mes të dislokimit të vazhdueshëm të trupave të Koresë së Veriut në Rusi”, tha Ministria e Jashtme përmes një njoftimi.

Në njoftim u tha se Qeveria koreanojugore “bën thirrje që trupat e Koresë së Veriut të tërhiqen menjëherë dhe të ndalet bashkëpunimi i paligjshëm”.

“Qeveria do të punojë së bashku me komunitetin ndërkombëtar për një përgjigje të fuqishme ndaj bashkëpunimit ushtarak mes Rusisë dhe Koresë së Veriut dhe do të ndërmarrë masat e nevojshme, teksa ky bashkëpunim ushtarak vazhdon”, u tha në njoftim.

Më 24 tetor, presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, e quajti dislokimin “provokim që kërcënon sigurinë globale përtej Gadishullit Korean dhe Evropës”. Këto deklarata ai i bëri pasi u takua me presidentin e Polonisë, Andrzej Duda.

Yoon tha po ashtu se Koreja e Jugut do të “rishikojë” qëndrimin e saj, sa i përket ofrimit të armëve Ukrainës në luftën e saj kundër Rusisë. Seuli për një kohë të gjatë ka rezistuar ndaj ndryshimit të politikës, që do t’i lejonte shtetit t’i dërgonte armë Kievit.

Ndërkaq, Koreja e Veriut ka miratuar një himn të ri kombëtar, raportoi media shtetërore të premten, një tjetër lëvizje që ekspertët dyshojnë se do të shtyjë përpara përpjekjet e liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, për ta përcaktuar shtetin e tij si krejtësisht të ndarë dhe në konflikt me Jugun.

Koreja e Veriut ka ndryshuar Kushtetutën për të përcaktuar Jugun si shtet “armiqësor” dhe javën e kaluar ka hedhur në errë disa rrugë dhe hekurudha që dikur lidhnin të dyja shtetet. /rel



AlbaniaWeb.net