Sun, Oct 27, 2024

Angli-Shqipëri, operacioni “Marewood” kap kokainë armë dhe para të krimit të organizuar

  • PublishedOctober 26, 2024

Task-forca ndër-ministeriale Shqipëri Britani e Madhe, ngritur në vitin 2022, pas suksesit në uljen me 90% të numrit të shqiptarëve të cilët mbërrijnë ilegalisht në shtetin ishull, tani është fokusuar në luftën me krimin e organizuar.

Ministria e Brendshme Home Office thotë se “përmes një bashkëpunimi të përbashkët të paprecedentë Britania e Madhe dhe Shqipëria përmes agjencive ligj-zbatuese kanë rritur partneritetin e tyre operacional kundra krimit të organizuar të përfshirë në transportin e parave, armëve dhe të drogës”.

Gazetari AlbaniaWeb.net Muhamed Veliu ka mësuar se gjatë shtatë muajve të fundit “Departamenti i Policisë Kriminale” , “Departamenti  policisë Kufitare dhe Migracionit ” në Shqipëri bashkë me NCA “Agjencinë Kombëtare Kundra Krimit” në Britani, janë përfshirë në operacionin e quajtur “Marewood”.

Nga kontrollet në të gjitha pikat kufitare shqiptare taksore, detare dhe ajrore  përfshi aeroportet e Londrës,  janë kapur disa qindra mijëra stërlina të përfituara nga kriminaliteti dhe po silleshin drejt Shqipërisë.

Falë shkëmbimit të informacionit me NCA dhe kontrolleve të shtuara në kuadër të operacionit “Marewood” në pikën kufitare të Portit të Durrësit është kapur 7 kilogram kokainë si dhe armë zjarri me destinacion final Britaninë e Madhe.

Ndërsa në disa raste në pikën kufitare të Hanit të Hotit dhe në Aeroportin e Rinasit janë kapur para cash në monedhën Sterlina,  duke tentuar për ti futur në Shqipëri.

Për llogari të operacionit “Marewood” në Shqipëri dhe Britaninë e Madhe janë disa persona të arrestuar e akuzuar për vepra të ndryshme penale në pritje të gjykimit në gjykatat shqiptare dhe ato britanike.

Home Office thotë se ë 16 Tetor 2024 sekretarja britanike për punët e brendshme Yvette Cooper dhe ministri i brendshëm shqiptarë Ervin Hoxha,  patën diskutime konstruktive me njëri tjetrin, duke u dakortësuar në ardhjen në Tiranë të disa zyrtarëve të lartë të Home Office,  përpara Krishtlindjeve për të thelluar bashkëpunimin kundra krimit të organizuar.

Angela Eagle ministre për sigurinë e kufinjve dhe azilin deklaroi se “Britania e Madhe dhe Shqipëria po dëshmojmë vullnet në shkatërrimin e grupeve të krimit të organizuar të cilët rekrutojnë njerëz në nevojë dhe sjellin mizori në vendet tona”.

Ndërsa ministri i brendshëm Ervin Hoxha e komenti punën e Task-Forcës si suksesshme duke theksuar se “jemi ekstremisht të kënaqur se çfarë është arritur në këtë bashkëpunim mes agjencive  shqiptare dhe ato të Britanisë së Madhe në përballjen me krimin e organizuar. Kemi arsye të forta të besojmë se ky bashkëpunim do të forcohet më tej duke e çuar përpara”.