Sat, Oct 26, 2024

Kryemadhi publikon dokumentin: Drejtësia më goditi politikisht! E kishin me nxitim, përdorën një ligj të shfuqizuar 4 vite më parë

  • PublishedOctober 26, 2024

Deputetja e PL, Monika Kryemadhi, e cila u la në detyrim paraqitje nga GJKKO për dosjen në ngarkim të ish-presidentit Ilir Meta, ka akuzuar se është goditur nga një ligj i shfuqizuar 4 vite më parë.

Në një reagim në rrjetet sociale, Kryemadhi pretendon se është goditur politikisht, ndërsa akuzon prokurorët se mund të jenë analfabetë funksionalë apo ushtarë funksionalë.

Kryemadhi ka publikuar dokumentin e vitit 2020 ku shkruhet “Ligji nr. 8331, datë 21.4.1998 “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, i ndryshuar, shfuqizohet në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji.” Gjithashtu ajo ka publikuar edhe dokumentin nga dosja hetimore e SPAK e firmosur nga prokurorët Altin Dumani, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi.

“Drejtësia e re me ligjet e vjetra. Të nderuar qytetarë, aq me nxitim dhe aq me urdhër e ka pasur kjo drejtësi e re goditjen time politike, sa që kanë përdorur një ligj të shfuqizuar jo pak por plot 4 vite më parë.
Të jenë analfabetë funksionalë apo ushtarë funksionalë?! Këtë le ta gjykojnë shqiptarët.
Shikoni, vlerësoni dhe gjykoni vetë faktet me poshtë, por mos harroni që secilin nga anëtarët e kësaj drejtësie e paguajmë 5-6 mijë euro/muaj ne të gjithë së bashku.Kjo është drejtësia që duam?”, ka shkruar Kryemadhi.

Ndaj Kryemadhit, GJKKO caktoi masën “detyrim paraqitje” për akuzën e pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurive, ndërsa Meta u la në burg për korrupsion, pastrim parash dhe mos deklarim të ardhurash.



AlbaniaWeb.net