Shifrat e Ismajlit “joshin” bigët e Serie A, Inter nuk i ndahet “murit” kuqezi, dërgon emisarë në “Tardini”
A e dini se çfarë kanë të përbashkët Petagna, Dovbyk, Castro, Vlahovic, Piccoli, Castellanos e Lukaku? Të gjithë janë qendërsulmues, por të gjithë nuk kanë arritur të kalojnë “murin” Ardian Ismajli, asnjë prej tyre nuk ka shënuar kundër Empolit.
Ekipi toskan po zhvillon një sezon pozitiv, ku pa diskutim një meritë për të ka qendërmbrojtësi kuqezi. Ismajli ka zhvillua 720 minuta të plota këtë sezon, ka shkaktuar vetëm 2 faulle, 1 për ndeshje, ka rikuperuar 15 topa, ka fituar 72 duele, 30 prej tyre në ajër, 195 pasime të sakta nga 245 dhe për të më tepër nuk është ndëshkuar asnjë herë, asnjë karton i verdhë apo i kuq, shifra fantastike që konfirmojnë sezonin e shkëlqyer që po zhvillon Ismajli.
Në Serie A, Ismajli është pa frikë mbrojtësi i momentit duke tërhequr interesimin e dy klubeve të mëdha si Juve e Inter. Zikaltërit do të dërgojnë të dielën emisarë në “Tardini” për ta ndjekur nga pranë në takimin kundër Parmës. Ismajli ka një kontratë që i përfundon më 30 qershor 2025, pra në fund të këtij sezoni.
Empoli nuk do ta ketë të lehtë ta mbajë në skuadër, por palët janë të hapur për të diskutuar mundësinë për të rinovuar kontratën e tij aktuale. Agjenti i tij, Pini Zahawi, një nga agjentët më të famshëm në botë, ka nisur kontaktet e para me drejtuesit e Empolit për të kuptuar nëse ekzistojnë kushtet për një kontratë të re, sigurisht me kushte ekonomike të përmirësuara ndjeshëm.
()