Një opsion më shumë për Dajën, Aliji bind si mbrojtës qendre te Dinamo
Naser Aliji, një nga blerjet më të rëndësishme të Dinamos në merkaton e verës, është aktivizuar si qendërmbrojtës në dy ndeshjet e fundit, me Tiranën dhe Egnatian.
Dhe këtë detyrë ish-lojtari i Kombëtares, një mëngjarash tipik, e ka bërë vërtet mirë. Falë eksperiencës së gjatë që ka, Aliji ka ditur të mbulojë mirë mungesën e Hoxhës dhe Muzek në qendër të prapavijës blu. Futbollisti 30-vjeçar duket se po vjen gradualisht në formën më të mirë fizike dhe pritet që të jetë një element i rëndësishëm për skuadrën në synimet e këtij sezoni.
Ai është aktivizuar bashkë me kapitenin Dita në qendër të prapavijës, ku kanë munguar dy titullarët Hoxha e Muzek, të dy për shkak dëmtimi. Edhe në ndeshjen e radhës me Bylisin ka pak gjasa që të ketë ndonjë ndryshim nga trajneri Daja në dyshen e qendrës së mbrojtjes, edhe pse në dispozicion janë edhe Rufati e Miço. Aliji duket se e ka bindur stafin blu në pozicionin e ri.