Rregullat e reja për votimin e “Topit të Artë”/ Kosova mbetet jashtë, Shqipërisë nuk i lejohet të votojë për femrat
Ky edicion i dorëzimit të trofeut të “Topit të Artë” është i pari që organizohet në bashkëpunim me UEFA-n dhe për herë të parë, janë përdorur rregulla të reja për të përcaktuar se kush janë ekspertët që votojnë për të përzgjedhur fituesit në kategoritë e ndryshme për femra dhe për meshkuj.
Rregullorja e re, siç është shpjeguar nga organizatorët e “Francë Football”, parashikon disa kufizime për ata që janë votuesit. Për futbollin e meshkujve, votues për “Topin e Artë” janë gazetarë nga vende që renditen mes 100 të parëve në klasifikimin e FIFA-s. Kësisoj, do të ketë si zakonisht votuesin nga Shqipëria, por jo nga Kosova, pasi ajo ende nuk ka arritur të jetë mes 100 vendeve të para të FIFA-s, me rekordin e saj aktual në vendin e 101-të.
Sa i përket çmimeve për futbollin e femrave, këtu as Shqipëria nuk merr pjesë si votuese. Organizatorët kanë përcaktuar që gazetarët të cilët votojnë, të jenë nga vendet që renditen mes 50 të parëve në klasifikimin e FIFA-s për futbollin e femrave. Dhe Shqipëria asnjëherë nuk ka hyrë mes 50 më të mirave në klasifikimin botëror, ku mban aktualisht vendin e 73-të dhe me vendin e 59-të si më të mirin në historinë e saj.