Mon, Nov 25, 2024

Mbetjet mbetën në det! Anija ende nuk ma marrë lejen për të hyrë në port, po mbahet nën vëzhgim

  • PublishedOctober 29, 2024

Anija turke “Moliva”, e cila mbërriti mëngjesin e së hënës me 102 kontejnerët që dyshohet se përmbajnë mbetje toksike vazhdon të qëndrojë në radën e jashtme të portit detar të Durrësit në pritje të një vendimi për ankorimin e saj në kalatë dhe shkarkimin e kontejnerëve.

Ndërkohë, autoritetet nuk kanë marrë ende një vendim lidhur me të për shkak të kushteve të prokurorisë për sekuestrimin e tyre dhe monitorimin në një ambient që vëzhgohet 24 orë me kamera.

Përveç 102 kontejnerëve me mbetje, në bordin e anijes turke, ndodhen edhe 97 kontejnerë të tjerë të kompanive private, që janë në pritje për shkarkim. Mesditën e së martës, pavarësisht se radha për t’u futur në port, në kushte normale, i përkiste anijes turke, është futur një tjetër anije me kontejnerë e ardhur nga porti grek i Pireut.

Ndërkaq një ide për ta ankoruar anijen në Porto Romano dështoi, pasi autoritetet portuale atje (porti MBM) refuzuan kërkesën për ta pranuar ngarkesën e rrezikshme dhe që kërkon kushte të veçanta sigurie. Në këto rrethana të pazakonta, AlbaniaWeb.net ka mësuar se Autoriteti Portual i Durrësit i ka kërkuar Prokurorisë që të marrë ajo një vendim mbi vendin ku do të shkarkohen kontejnerët, për shkak të dyshimeve mbi përmbajtjen e tyre. Ky hap synon të sigurojë që procesi i shkarkimit dhe depozitimit të mbetjeve të bëhet në kushte të sigurta dhe në përputhje me standardet e mbrojtjes së mjedisit dhe shëndetit publik.



AlbaniaWeb.net