Sulmi kthehet të bëjë detyrën te Partizani, goditjet standarde bëhen hall
Partizani më në fund po rigjen sulmuesit, pas një nisjeje shumë të dobët sa i përket golave të shënuar. Dy ndeshjet e fundit të të kuqve i kanë vendosur sulmuesit.
Mba shënoi dy gola kundër Vllaznisë në barazimin 2-2 në ndeshjen e fundit, teksa një ndeshje më parë Zeka tundi rrjetën në barazimin e marrë në Elbasan. Kjo tregon se më në fund ofensiva e të kuqve po nis të bëjë mirë detyrën dhe të mos e lërë në dorën e mesfushorëve apo mbrojtësve çështjen e golit.
Mba shkon në kuotën e tre golave në këtë sezon, aq sa Rrapaj. Ndjekin Zeka dhe Bintsuka me nga dy rrjeta, si dy sulmuesit e tjerë që kanë shënuar. Për tu theksuar është forma e Carës, i cili ende nuk po e kap ritmin dhe nuk po arrin të shënojë, që me siguri do të ishte një çlirim për të.
MBROJTJA – Nëse sulmi ka nisur të lëvizë si duhet në dy ndeshjet e fundit mbrojtja ka shfaqur probleme të theksuara. Elbasani dhe Vllaznia i kanë shënuar tri herë, por ajo çka përbën një shqetësim janë golat e Ze Gomesh dhe Stojanoviç, të pësuar në mënyrë identike nga goditja standarde.
Mund të ndodhë në një rast ku skuadra të kapet e papërgatitur, por kur përsëritet do të thotë se diçka mungon dhe duhet të përmirësohet. Partizani numëron tetë gola të pësuar, aq sa Vllaznia dhe dy më pak se Elbasani.