71 mijë mjete të reja për nëntë muaj në vend! Kryeson Tirana, qytetet me numrin më të vogël Gjirokastra dhe Kukësi
71400 mjete të reja janë regjistruar në vendin tonë nga fillimi i vitit deri në shtator, sipas të dhënave të INSTAT.
Deri në shtator numri gjithsej i mjeteve rrugore me status “aktiv” dhe “të çregjistruar përkohësisht” që qarkullojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë deri në Shtator 2024, rezulton 939.152 mjete.
Në kategorinë e mjeteve rrugore sipas llojit, përqindjen më të madhe ndaj numrit gjithsej të mjeteve rrugore e zënë “Autoveturat” (80,8 %), “Automjetet për transport të përzier” (6,0 %) dhe “Motor” (5,7 %).
Sipas INSTAT, gjatësia e rrjetit rrugor në shfrytëzim është 3.606* km, klasifikuar sipas kategorive, si autostradë, rrugë interurbane kryesore, rrugë interurbane dytësore, rrugë urbane dhe rrugë lokale. Rrugët interurbane dytësore zënë rreth 74,2 % të gjatësisë së rrjetit rrugor.
Në tremujorin e tretë 2024, numri më i lartë i mjeteve rrugore është në qarkun e Tiranës, duke zënë 34,9 % të mjeteve rrugore gjithsej në vend, pasuar nga qarku i Durrësit me 13,5 % të mjeteve rrugore gjithsej.
Qarqet me numrin më të vogël të mjeteve rrugore janë qarku i Gjirokastrës me 2,2 % dhe qarku i Kukësit me 2,3 % të mjeteve rrugore gjithsej.
Marka “Mercedez Benz” është marka me qarkullim më të lartë në vend në kategorinë e mjeteve rrugore me 18,0 %, e ndjekur nga marka “Volkswagen” me 16,3 % dhe “Daimler Chrysler” 8,2 %.
Gjatë tremujorit të tretë 2024, janë regjistruar për herë të parë 26.183 mjete rrugore. Në kategorinë e mjeteve rrugore sipas llojit të regjistruar për herë të parë, përqindjen më të madhe e zënë “Autoveturat” me 84,8 % dhe “Motor” me 7,9 %.
Numri më i lartë i mjeteve rrugore të regjistruara për herë të parë, është në qarkun e Tiranës, duke zënë 38,9 % ndaj mjeteve rrugore gjithsej të regjistruara në vend në tremujorin e tretë 2024.
Qarqet me numrin më të vogël të mjeteve rrugore të regjistruara për herë të parë, janë qarku Gjirokastër me 1,4 % dhe qarku Dibër me 2,1 %.
AlbaniaWeb.net