Fri, Nov 22, 2024

Agjencia e Mjedisit thotë se te Liqeni Artificial nuk ka ndotje

  • PublishedOctober 30, 2024

Shtresa e trashë e algave mbi një pjesë të madhe të sipërfaqes së liqenit artificial të Tiranës duket me sy të lirë nga të gjithë ndërsa analiza laboratorike të bëra nga biologët e Universitetit të Tiranës thonë se ajo që shihet me sy të lirë është në fakt ndotje e shkaktuar nga derdhja në liqen e ujërave të përdorura urbane të patrajtuara.

Përkundër kësaj, Agjencia Kombëtare e Mjedisit thotë se analizat e kryera prej saj “nuk nxjerrin probleme”.

“Analizat që bëmë para disa ditësh nuk patën tregues ndotje”- i tha BIRN-it të mërkurën drejtoresha e AKM-së, duke shtuar se “jemi në proces verifikimi”. Dollani gjithsesi nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për të marrë një kopje të rezultatit të analizave.

Ndryshe nga Dollani, biologu nga Universiteti i Tiranës thotë se rezultati i analizave të kryera nga AKM janë kontradiktore dhe se besueshmëria e tyre është “e diskutueshme”.

“Nga dy grup analizat e kryera nga AKM, gjithë treguesit janë të krahasueshëm mes tyre, kurse për fosforin ka ndryshim me 10x, dhe vështirë të gjykosh saktë mbi gjendjen nëse të dy analizat kanë këtë ndryshim. Kjo e bën të diskutueshëm besueshmërinë e kësaj të dhëne për një basen relativisht të vogël si ky liqen,” thuhet në një përgjigje të Mihos, për Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit, një zyrë bashkiake e cila ka formalisht nën administrim edhe liqenin.

Bashkia e Tiranës mësohet se është vënë në lëvizje pas alarmit të dhënë nga Miho në një status në Facebook më 16 tetor, në të cilin thoshte se analizat laboratorike të kryera nga Shpëtim Vata, një student doktorant, tregonin ndotje të lartë me cianobakterie, të cilat krijohen nga derdhja e ujërave të përdorura dhe të patrajtuara urbane.

Derdhja e ujërave të zeza në liqenin që përbën zemrën e parkut të vetëm të madh të kryeqytetit është në fakt një fenomen që dallohet me sy të lirë dhe që qytetarët që shëtisin në këtë park e ndjejnë në hundën e vet rregullisht, veçanërisht në anën jug-lindore, në të cilën gjatë dekadës së fundit janë ndërtuar shumë pallate e vila, brenda basenit ujëmbledhës të liqenit. Së paku dy rrëke uji të cilat normalisht duhet të derdhin në liqen ujërat e pastra të shiut janë në mënyrë të dukshme të mbushura me ujëra të zeza.

Kjo situatë gjithsesi, sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit nuk rezulton të jetë ndotje, ndonëse, verifikimet vijojnë.

Sipas biologëve, “lulëzimi i mikrocistis shpesh formohet gjatë motit të ngrohtë dhe të qetë në liqene dhe pellgje me përqendrime relativisht të larta të lëndëve ushqyese (azoti ose fosfor) ose raporte të ulëta të azotit ndaj fosforit”.

Por, analizat e AKM në një rast tregojnë për përqëndrim të lartë të ‘fosforit” dhe në një rast tjetër për përqëndrim të ulët të tij.

Në dy grupet e analizave të kryera nga AKM të gjithë treguesit janë të krahasueshëm mes tyre, kurse për fosforin ka ndryshim me 10 herë.

“Sipas matjes te Diga e liqenit vlera e P-PO4 është 0.055 mg/L, që do të thotë se ujërat janë shumë eutrofë; kurse sipas matjes te Moli HD, i cili është po te diga e Liqenit, ndoshta disa dhjetra metra largësi vlera e P-PO4 është 0.0055 mg/L, që do të thotë se ujërat janë thellësisht oligotrofë”- referon raporti për këto analiza.

Sipas profesor Mihos, gjendja e parë është mëse e besueshme, pasi e vërtetojnë algat në lulëzim gjithandej në Liqen. “Kurse vlera e dytë për mendimin tim duhet të jetë e gabuar, ndoshta ‘lapsus’ nga AKM, pasi si i tillë Ujëmbledhësi i Tiranës vështirë të ketë patur ndonjëherë gjendjen oligotrofe, jo vetëm në këtë rast, por në gjithë jetëgjatësinë e tij të krijimit prej mbi 60 vitesh, për shkak të vendodhjes, klimës së zonës dhe presionit të njeriut rreth pellgut të tij”- shton ai.

“Kjo e bën të diskutueshëm besueshmërinë e kësaj të dhëne për një basen relativisht të vogël si ky Liqen”- konkludon raporti i firmosur nga profesor Miho.

I pyetur nga BIRN, Miho i cilësoi kontradiktore të dhënat e analizave të AKM-së, ndërsa shtoi se niveli i fosforit është shkaku kryesor i gjendjes së një Liqeni dhe se algat nuk janë shkak, po pasojë.

Gjithsesi ai shton se shqetësimi i ngritur nuk synon të krijojë panik tek qytetarët, por të ndërgjegjësojë autoritetet përgjegjëse për cilësinë e ujërave në vend, jo vetëm në liqenin artificial, por në lumin e Lanës, Ishmit, etj…

Reagim të institucioneve për rastin dhe për një administrim funksional të ujërave kërkon dhe Taulant Bino, drejtues i Shoqatës së Ornitologëve Shqiptarë (AOS).

“Parku i Madh i Liqenit Artificial të Tiranës është nën administrimin e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, por duke marrë parasysh kapacitetet njerëzore si dhe detyrat funksionale të këtij institucioni, është e pamundur të hetojnë mbi burimin e ndotjes”- tha ai për BIRN, duke sugjeruar miratimin e një plan-veprimi për bioversitetin nga Bashkia Tiranë.

Sipas Binos, duhet një bashkëpunim i ngutshëm me kërkues shkencorë dhe inpektoratet relevante të fushës së cilësisë së ujërave për të kuptuar origjinën e ndotjes dhe për ta kontrolluar apo eleminuar atë.

Shqipëria është vendi i fundit në kontinentin evropian që i derdh ujërat e përdorura drejtpërsëdrejti në liqene apo lumenj, pa i përpunuar më parë për të parandaluar ndotjen. Një projekt madhor që synonte të ndërtonte një sistem të përpunimit të ujërave të zeza për zonën e kryeqytetit ka mbetur i parealizuar me punime të bllokuara tashmë që prej së paku gjashtë vitesh. Qeveria dhe Bashkia Tiranë nuk kanë dhënë shpjegime publike se pse investimi në fjalë nuk është realizuar.