Mon, Nov 25, 2024

“Nuk heq dorë, do kandidoj sërish për Himarën”/ E goditën me vezë e kos jashtë Kryesisë së Kuvendit, Fredi Beleri: Sulm i orkestruar!

  • PublishedNovember 1, 2024

Fredi Beleri ishte këtë paradite në “Shqipëria Live” në Tch ku foli për zhvillimet e fundit.

I pyetur nëse përfaqëson grekët apo shqiptarët në Parlamentin Europian, ai u shpreh: Fredi Beleri është i zgjedhur nga Demokracia e Re, duhet të dini që ka marrë 245 mijë vota, 60-70 vota ishin të shqiptarëve me dyshtetësi ose dykombësi. Unë atje përfaqësoj qytetarët grekë, jam një nga 21 deputetët grekë, por kjo nuk më ndalon që të shpreh mendimet e mia dhe të ndihmoj vendlindjen time, se kam gjysmën e jetës këtu. Unë nuk e kam fshehur, të gjithë e dinë që kam lindur në Shqipëri!

Gjatë intervistës, ai u pyet edhe për takimin në Tiranë, kur deklaroi se dera e Kuvendit ishte e mbyllur. Ai tha se kishte shkuar vetëm një minutë me vonesë, ndërsa për takimin e parashikuar me Edi Ramën, ai tha se nuk ka dijeni se përse nuk u mbajt.

“Sa për situatën para Kuvendit, vajta me një minutë vonesë, se më kapi semafori. Sulmi me vezë dhe kos… Në vendin më të ruajtur në republikë, jashtë kuvendit, mund të jetë dhe rastësi. Të gjithë politikanë kanë mllefin e qytetarët që herë në mënyrë të ligjshme ose jo shprehin urrejtjen e tyre. Qytetarin nuk e njoh, ishte me skenar. Me Ramën ishte parashikuar një takim, nuk e di pse nuk ndodhi”, tha ai.

Pyetjes nëse ka diçka nga e shkuara për të cilën ai pendohet, Beleri u shpreh: Ka shumë gjëra që pendohet njeriu, por gjërat që kanë shkuar nuk i kthej dot pas. Nuk pendohem për gjërat që thoni, ‘vrarës, terrorist,, sepse nuk janë të vërteta.

Po a do të rikandidojë për bashkinë e Himarës?

“Nuk kam për të hequr dorë, pres t’i drejtohem Strasburgut, dhe nëse më jep pafajësi, sigurisht do rikthehem për të kandiduar”, tha ai.


AlbaniaWeb.net