Fri, Nov 22, 2024

Zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë, Harris dhe Trump intensifikojnë fushatat

  • PublishedNovember 1, 2024

Ndërsa kanë mbetur pesë ditë nga zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë, kandidatja demokrate Kamala Harris dhe rivali i saj republikan, Donald Trump, kanë intensifikuar fushatat dhe sulmet e ndërsjella. Fushata e demokrates Harris ka hasur vështirësi që të shtojë mbështetjen mes votuesve meshkuj ndërsa komentet e republikanit Trump për gratë kanë shtuar hendekun e mbështetjes për të.

Gjatë një tubimi të enjten në Arizona, demokratja Harris tha se komenti i kundërshtarit të saj se do t’i mbrojë gratë, pavarësisht nëse do t’u “pëlqejë atyre apo jo”, tregon se kandidati republikan për president nuk i kupton të drejtat e grave “për të marrë vendime për jetën, përfshirë edhe trupin e tyre”.

“Unë mendoj se është fyese për të gjithë, meqë ra fjala”, tha zonja Harris përpara se të niste fushatat në shtetet e pavendosura të Arizonës dhe Nevadës.

Gjatë një tubimi në Feniks të Arizonës, zonja Harris tha se kundërshtari i saj: “Nuk e respekton lirinë apo mençurinë e grave për të vendosur për gjërat që u interesojnë atyre dhe për të marrë vendime në përputhje me rrethanat. Ne kemi besim tek gratë”.

Komentet e zotit Trump vijnë ndërsa ai ka ndeshur vështirësi për të rritur mbështetjen mes votueseve. Kandidati republikan për president flet në përgjithësi për mbrojtjen e grave nga kriminelët, terroristët dhe elementët e huaj, çka përputhet me tablonë e zymtë të një vendi në rënie, siç e cilëson ai Amerikën.

“Unë do t’i mbroj nga emigrantët që vijnë. Unë do t’i mbroj nga vendet e huaja që duan të na godasin me raketa dhe shumë gjëra të tjera”, u shpreh zoti Trump gjatë një tubimi në Green Bay të shtetit Uiskonsin.

Sipas të dhënave nga firma analitike “TargetSmart”, rreth 1.2 milionë gra më shumë se burra kanë marrë pjesë në votimet e hershme në shtatë shtete që cilësohen si fushëbetejë.

Ndalesat e fundit të zonjës Harris mbrëmjen e së enjtes ishin qytetet Las Vegas dhe Reno të Nevadës, një shtet fushëbetejë.

Mbrëmjen e së enjtes, ish Presidenti Donald Trump zhvilloi një tubim në qytetin Albuquerque të shtetit New Mexico ndërsa ka në plan të ndalojë në Salem të Virxhinias të shtunën.

Ekipi i fushatës së republikanit Trump thotë se është optimist bazuar pjesërisht tek pjesëmarrja në votimet e hershme. Drejtuesit e fushatës thonë se ka gjasa që republikani Trump të fitojë në shtetet New Mexico dhe Virxhinia. Hera e fundit që këto shtete votuan për një kandidat republikan për Shtëpinë e Bardhë është në vitin 2004, për Presidentin George W. Bush.

Kandidatët e dy kampeve kundërshtare kanë zhvilluar tubime të shumta në shtetet fushëbetejë, me 21 tubime në Pensilvani, 17 në Miçigan dhe 13 në Karolinën e Veriut.

Ndërkohë kandidati republikan për president, Donald Trump, ngriti padi të enjten kundër kanalit televiziv CBS News, lidhur me një intervistë të rivales së tij demokrate të transmetuar në emisionin “60 Minutes” në fillim të tetorit, për cilën pretendon se ishte manipuluar, sipas dokumenteve të depozituara në gjykatë.

Aktpadia pretendon se rrjeti CBS transmetoi dy përgjigje të ndryshme nga kandidatja Harris për një pyetje në lidhje me luftën e Izraelit kundër Hamasit në Gazë.

“Pretendimet e përsëritura nga ish Presidenti Trump janë të rreme”, tha një zëdhënës i rrjetit CBS. “Padia e ngritur nga zoti Trump kundër rrjetit CBS është krejtësisht e pabazë dhe do të mbrohemi fuqishëm kundër saj”.

Demokratja Harris dhe republikani Trump janë në një garë shumë të ngushtë, ndërsa në ditët e fundit po përpiqen t’i bëjnë për vete ata që mund të jenë ende të pavendosur dhe për të mobilizuar pjesëmarrjen në votime të bazës së tyre./Voa



AlbaniaWeb.net