VIDEO/ Katastrofa në Valencia, publikohen pamjet: Si vërshuan ujërat në vetëm pak sekonda!
Interneti është mbushur këto ditë me foto e video nga disa zona të Spanjës, e sidomos Valencia dhe rrethinat e saj, që ishin më të goditurat nga reshjet e dendura dhe përmbysjet e befasishme që kanë lënë pas viktima, dhimbje e shkatërrim.
Mediat vendase flasin për kushte atmosferike të paprecedentë. 211 vetë humbën jetën nga vërshimet që kanë ndryshuar fytyrën e periferive të Valencias, duke bërë që ato të mos ngjajnë me vendin ku njerëzit jetonin vetëm pak ditë përpara.
Në rrjetet sociale është publikuar edhe një video nga Paiporta, komunë që gjendet në provincën e Valencias. Pamjet tregojnë automjete që ende lëvizin nëpër rrugë, por menjëherë pas kësaj, brenda pak sekondash, rrugët mbulohen nga uji i përzjerë me baltë.
En paiporta (Valencia) sin aviso pasó ésto pic.twitter.com/DcwKzoSLbj
— fabián Palomares (@premier342) October 31, 2024
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sancez, urdhëroi angazhimin e 5.000 ushtarëve shtesë dhe 5.000 zyrtarëve policorë në këtë rajon mes kritikave në rritje të banorëve lokalë ndaj autoriteteve për një reagim të ngadaltë e të pamjaftueshëm pas përmbytjeve katastrofike. Numri i viktimave sakaq, pritet të rritet edhe më tej.
Një numër i madh banorësh kanë mbetur pa ujë, ushqime dhe energji elektrike. Në një gjest të rrallë solidariteti, me mijëra vetë kanë udhëtuar drejt zonave rurale për të ndihmuar në përpjekjet për pastrim të zonës, ndonëse të premten autoritetet kanë paralajmëruar se trafiku do të kufizohet përgjatë fundjavës në atë pjesë, për të siguruar qasje më të lehtë për punonjësit e emergjencës.
AlbaniaWeb.net