Fri, Nov 22, 2024

Kush e përcakton se cili kandidat do të fitojë Shtëpinë e Bardhë? Fjalën e fundit e ka Kolegji Zgjedhor, si funksionon

  • PublishedNovember 4, 2024

Amerikanët shkojnë në kutitë e votimit më 5 nëntor për të zgjedhur presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë, numri i votave në nivel kombëtar nuk përcakton se cili kandidat do të fitojë Shtëpinë e Bardhë. Fjalën e fundit e ka Kolegji Zgjedhor. Por si funksionon kjo?

Kur kandidatët fitojnë votën popullore, kjo do të thotë se ata kanë siguruar më shumë vota në total se kundërshtari. Por nuk zgjidhet kështu presidenti amerikan.

Kur Themeluesit e Amerikës përcaktuan proceset zgjedhore në 1787, ata donin të balanconin fuqinë midis shteteve dhe të shmangnin mundësinë që ky post të merrej nga kandidatë të papërshtatshëm.

Kolegji Zgjedhor u krijua si një kompromis, duke vepruar si një fazë e ndërmjetme mes procesit të votimit dhe deri në emërimin e presidentit.

Kolegji Zgjedhor aktualisht përbëhet nga 538 elektorë, të shpërndarë në të 50 shtetet amerikane, bazuar në numrin e përfaqësuesve të tyre në Kongres, që përcaktohet kryesisht nga popullsia. Kalifornia, për shembull, ka 54 elektorë, ndërsa Wyoming me popullsi të rrallë, ka vetëm tre.

Për t’u bërë president, një kandidati i nevojiten të paktën 270 vota të kolegjit elektoral.

Dyzet e tetë shtete dhe Distrikti i Kolumbias kanë një sistem ku fituesi i merr të gjitha votat elektorale.

Dy shtete – Maine dhe Nebraska – i ndajnë votat elektorale në bazë të rezultatit.

Kur bëhet fjalë për rezultatin e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, vota popullore mbarëkombëtare nuk ka rëndësi. Është e mundur të bëhesh president edhe duke u humbur votën popullore.

Kjo ka ndodhur pesë herë në histori.

Donald Trump u bë president në vitin 2016, pavarësisht se mori 2.9 milionë vota më pak se Hillary Clinton. George W. Bush fitoi Shtëpinë e Bardhë në vitin 2000, pavarësisht se kishte 540,000 vota më pak se Al Gore.

Procesi “zgjedhor indirekt”, siç është quajtur, vazhdon të përballet me kërkesa për rishqyrtim. Ka patur mbi 700 propozime për shfuqizimin apo reformimin e Kolegjit Zgjedhor, por asnjë prej tyre nuk ka patur sukses.

Ne ndoshta do ta mësojmë se kush do të jetë presidenti i ardhshëm menjëherë pas ditës së zgjedhjeve, por elektorët nga secili shtet nuk votojnë zyrtarisht deri në dhjetor.

Megjithëse procesi i Kolegjit Zgjedhor është i parashikuar në Kushtetutë, në të nuk thuhet se elektorët duhet të votojnë në përputhje me votuesit e shtetit. Kjo u lihet shteteve për ta përcaktuar.

Deri më tani, 90 elektorë kanë votuar për një kandidat tjetër presidencial, megjithëse vetëm një ka votuar për kandidatin e partisë humbëse në një zgjedhje të ngushtë. Kjo nuk ka ndryshuar ndonjëherë rezultatin e zgjedhjeve, por nxjerr në pah paparashikueshmërinë e sistemeve zgjedhore në Shtetet e Bashkuara./ VOA



AlbaniaWeb.net