‘Si në burg’: Punëtorët afrikanë përballen me privim lirie dhe shfrytëzim në Shqipëri
Pas dy muajsh punë në një resort turistik buzë detit Jon në Orikum, Ochen*, një estetiste 30-vjeçare nga Kampala e Ugandës, e konsideron këtë si përvojën e saj më të keqe të punës. E kthyer prej tre muajsh në vendlindje, ajo është ende e irrituar me atë që i ndodhi këtë verë në Shqipëri.
“Jeta aty ishte si në burg, ishim si në burg,” i tha BIRN përmes telefonit Ochen, emër i ndryshuar me kërkesën e saj për ta kursyer nga problemet në vendin e origjinës.
“Nuk kishim as karta identiteti, as leje pune dhe as pasaportë, pasi t’i mbajnë dhe nuk mund të lëviznim”, shtoi ajo me zemërim.
Ochen është vetëm një nga qindra punëtorët e huaj nga kontinenti afrikan që mbërritën këtë verë në Shqipëri për të plotësuar nevojën për krah të lirë pune të shkaktuar nga emigracioni vendas, veçanërisht në sektorin në lulëzim të turizmit.
Ndonëse iu premtua kontratë 1-vjeçare pune dhe pagë më e lartë se në shtëpi, Ochen thotë se u detyrua të kthehej mbrapsht e zhytur në borxhe, ‘për shkak të kufizimit të lirisë dhe diskriminimit’.
Përvoja e saj në tregun shqiptar të punës nuk është e izoluar.
BIRN intervistoi një grup punëtorësh të huaj nga Uganda dhe Nigeria, të cilët u ankuan gjithashtu për kufizim të paligjshëm të lirisë, shfrytëzim me orë të zgjatura dhe të papaguara pune si dhe për diskriminim nga sipërmarrësit shqiptarë.
Punëtorët nga vendet e Afrikës paguajnë vlera që variojnë nga 1200 – 2000 euro për llogari të agjencive të punësimit në këmbim të kontratave 1-vjeçare të punës dhe lejeve të qëndrimit. Por disa prej tyre i thanë BIRN se ishin dëbuar nga vendi padrejtësisht, ndërsa të tjerë jetojnë me frikën e ndërprerjes së kontratave dhe rrezikun e dëbimit pas përfundimit të sezonit turistik.
Pa asnjë mbështetje në Shqipëri, punëtorët nga Afrika janë përplasur për ndihmë në dyert e Kishës Shpëtimtare në Tiranë që drejtohet nga pastori nigerian, Prince C.Mazie, i cili jeton prej 16 vitesh në kryeqytet.
“Kam dhjetra mesazhe nga punëtorë nga Afrika, India dhe vende të tjera që ankohen për diskriminim, kufizim të lirive dhe që kërcënohen vazhdimit se do i kthejnë pas në vendet e origjinës, pasi kompania ka mbyllur sezonin,” tha Mazie për BIRN në një kafene pranë Pazarit të Ri në qendër të Tiranës.
“Kjo është johumane. Nëse ke një kontratë për një vit, të paktën respekto atë kontratë,” shtoi ai, ndërsa theksoi se shkelja e kontratave po i vendoste punëtorët e huaj nga Afrika në rrezik.
Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe i Sigurimeve Shoqërore e konsideron mbajtjen e pasaportave të punëtorëve të huaj nga punëdhënësit si vepër penale të ngjashme me “marrjen peng” apo “heqjen e paligjshme të lirisë”, por drejtues të tij mohuan që të kishin marrë denoncime për raste të tilla.
Zyrtarët pranuan disa shkelje të Kodit të Punës, si puna me orë të zgjatura dhe të papaguara, por theksuan se e njëjta gjë ndodh edhe me punëtorët shqiptarë.
“Një punëdhënës korrekt është korrekt me të dyja palët dhe dikush që mban punëtorë shqiptarë në të zezë, e bën këtë edhe me të huajt,” tha Irida Qosja, zv.drejtuese e Inspektoriatit të Punës.
Red flag: Pasaportat konfiskohen në Rinas
Shqipëria është një ndër vendet më të varfra të Europës me të ardhura mesatare për frymë prej 8251 dollarësh në vitin 2023. Gjatë dekadës së fundit, vendi ka humbur 60% të brezit vital për tregun e punës mes të lindurve në periudhën e rënies së komunizmit në vitin 1990. Kjo ka sjellë një mungesë të theksuar të forcës punëtore, kryesisht në sektorin e shërbimeve.
Indiferente ndaj valëve të emigrimit vendas, qeveria ka lehtësuar gjatë viteve të fundit politikat e rekrutimit për të terhequr punëtorë nga shtete më të varfra se Shqipëria, të tilla si Bangladeshi, Nepali, Filipinet apo vendet e Afrikës.
Gjithsesi, punëtorët e huaj nga këto shtete nuk janë ende dominantë në Shqipëri, ndonëse numri i tyre është dyfishuar në dy vitet e fundit.
Sipas të dhënave të INSTAT, 70% e të huajve që kërkuan leje qëndrimi gjatë vitit 2023 në Shqipëri ishin nga Italia, Kosova, Turqia apo vende të tjera të Europës. Në të njëjtën periudhë u pajisën me leje qëndrimi 3784 persona nga Azia dhe 1028 persona nga Afrika.
Më 9 tetor, BIRN u informua përmes një emaili anonim se 27 punëtorë nga Uganda të punësuar këtë verë në resortin “Oricon Coast Luxury Resort” në pronësinë e Hanxhari Group në Orikum po mbaheshin në kushtet e kufizimit të lirisë dhe sipas denoncimit, rrezikonin të dëboheshin në vendin e tyre. I njëjti email iu dërgua gjithashtu një numri institucionesh, përfshi Policinë e Shtetit, Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Ministrisë së Jashtme dhe disa organizatave joqeveritare.
BIRN mësoi gjithashtu se praktika e kufizimit të lirisë përmes bllokimit të pasaportës dhe e rrezikut të shkeljes së kontratave të punës shkon përtej një kompanie të caktuar.
Tre punëtorë nga Nigeria, të punësuar në kompaninë e punimeve artistike, P&GG në Petrelë të Tiranës u dëbuan në shtator nga Shqipëria, pavarësisht se kishin leje qëndrimi 1-vjeçare, ndërsa disa punëtorë të tjerë nga Uganda – punëmarrës në resortin Grand Blue FAFA në Golem u ankuan për BIRN se duan t’i largojnë pas mbylljes së sezonit turistik.
Punëtorët e intervistuar nga BIRN veç e veç, pohuan se pasaportat e tyre merreshin nga punëdhënësi me të zbritur në Rinas.
Në mesin e tetorit, hoteli “Oricon Coast Luxury Resort” në Orikum e kishte mbyllur sezonin turistik dhe priste klientë të paktë, kryesisht në ambientet e barit. Punëtorët nga Uganda që BIRN gjeti pranë ambienteve të hotelit u ankuan se kishin qëndruar të izoluar për muaj me radhë brenda rrethimit të resortit dhe nuk kishin asnjë dokument personal.
“Bëjmë vetëm këtë rrugë,” tha një punëtore 26-vjeçare, duke treguar me shenjë nga dhoma e fjetjes në hotel deri vendi i punës.
Ajo ankohet gjithashtu se gjatë qëndrimit në Orikum janë gjithë kohës të vëzhguar. Nëse u duhet të shkojnë në bankë, për të trasferuar para te familjet e tyre në Kampala, dikush i shoqëron bashkë me pasaportat e tyre. Kjo ndodh edhe nëse u duhet të shkojnë të mjeku.
Punëtorët u ankuan gjithashtu për orë të zgjatura dhe të papaguara të punës si dhe diskriminim në raport me punëtorët shqiptarë. Dhe sa herë që ankoheshin – tha njëri prej tyre- merrnin pas kërcënimin “do t’ju kthejmë në Afrikë”.
Rreth 120 kilometra në veri të Orikumit, një punëtor tjetër nga Uganda i hotelit “Grand Blue FAFA” në Golem tregon probleme të ngjashme. Ai i tha BIRN më 30 tetor se kompania ia kishte konfiskuar pasaportën që prej momentit që zbriti në Rinas.
“Ne punojmë nga mëngjesi në darkë, nuk kemi kohë të kërkojmë për pasaportën,” tha ai përmes një bisede telefonike.
Bllokimi i pasaportës nga punëdhënësi konsiderohet si “red flag” për shkelje shumë të rëndë nga Inspektoriati i Punës dhe duhet denoncuar në organet e policisë. Por kreu i këtij inspektoriati, Eljo Muçaj i tha BIRN se gjatë inspektimit të kryer në “Oricon Coast Luxury Resort” pas denoncimit, punëmarrësit nuk e kishin denoncuar një fakt të tillë.
“Në qoftëse nuk janë vetë këta që e denoncojnë një gjë të tillë, praktikisht është e pamundur që një inspektor pune në një proces hetues të evidentojë që këtyre u është mbajtur pasaporta nga punëdhënësi,” tha kryeinspektori Muçaj.
Adjon Hanxhari, pronar i hotelit “Oricon Coast Luxury Resort” në Orikum i mohoi akuzat dhe i tha BIRN përmes një mesazhi në WhatsApp se ishte inspektuar nga tre organe shtetërore dhe nuk ishte gjetur i vërtetë asnjë prej pretendimeve në denoncim.
“Pretendimi për diskriminim në punë është një shpikje e denocuesit anonim,” tha Hanxhari, ndërsa shtoi se edhe “çështja e pasaportave ishte sqaruar”.
“Sa i përket pretendimit se kompania u ka mbajtur padrejtësisht pasaportat, kjo gjë është sqaruar nga ana jonë me vetë punonjësit që aktualisht vazhdojnë të punojnë në grupin tonë,” shtoi ai.
BIRN mësoi se pasaportat ishin kthyer më 22 tetor, pas raportit të inspektimit të kryer nga Inspektoriati i Punës. Administratori i hotelit “Grand Blue Fafa” nuk qe i arritshëm për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.
‘Pagesa gjigande” për agjencitë e ndërmjetësimit
Në faqen në Facebook të Unionit Afrikan në Shqipëri, një i ri nga Liberia, një shtet i drobitur nga luftrat civile në Afrikën Perëndimore, shkruan se ëndërron prej gjashtë vitesh që të vijë në Shqipëri. Por ai shton se ëndrra kishte qenë e pamundur, pasi agjencitë e punësimit i kërkonin “pagesa gjigande”. “Kjo më ka dekurajuar,” shkruan ai.
Qindra punëtorë sezonalë nga vendet e treta, përfshirë edhe vendet e Afrikës, e kanë paguar shtrenjtë mundësinë e tyre për të punuar në Shqipëri, ndërkohë që përballen me pasiguri për zbatimin e kontratave të punës.
Një 33-vjeçar nga Uganda, me të cilin BIRN foli në resortin turistik në Orikum, tha se kishte paguar 1200 euro për agjencinë – shumë që sipas tij ishte e mjaftueshme për të paguar qiranë e shtëpisë për 1 vit në Kampala. Problemi i tij kryesor është pasiguria për vendin e punës; ai tha se kishte dëgjuar nga punonjësit e resortit se do t’i kthenin pas në Uganda pasi “nuk kishte më punë”.
Një tjetër punëtor i mirëmbajtjes së plazhit dhe pishinës pranë hotelit “Grand Blue FAFA” në Golem, i tha BIRN se kishte paguar 7.5 milionë shilinga të Ugandës [rreth 1900 euro] për agjencinë e ndërmjetësimit dhe tani po i kërkohej që të firmoste dorëheqjen.
Ai shtoi se pas përfundimit të plazhit iu kërkua që të lante enët dhe këmbëngul se i kishte bërë të gjitha punët që i kanë kërkuar.
“Nuk i kam marrë ato para pas ende,” ankohet ai, ndërsa shton se rrezikon të largohet me borxhe.
Edhe një koleg i tij në të njëjtin resort thotë se kishte marrë kredi për të paguar shumën e parave për të ardhur në Shqipëri. “Unë nuk kam bërë ende paratë e shpenzuara dhe kjo nuk përfshin interesat e kredisë,” tha ai përmes telefonit.
E kthyer prej tre muajsh në Kampala, edhe Ochen ankohet se humbi shumë para nga përvoja e saj në Shqipëri. Kur mbërriti në Orikum në qershor, ajo e gjeti vendin e punës të papërfunduar dhe iu kërkua që të bënte punë të tjera të vështira. Kjo solli konfliktin e saj me punëdhënësin.
“Unë pagova 2000 euro për të punuar aty, por nuk kam marrë pas as gjysmën, as çerekun e parave që shpenzova, kam humbur shumë para”, thotë gruaja, ndërsa përsërit kërkesën që t’i ruhet anonimati.
“Të lutem, unë jam një grua e varfër dhe kam sërish nevojë të udhëtoj në një vend tjetër për punë për të mbajtur fëmijët dhe i fuqishmi mund të ma bllokojë këtë mundësi,” shton ajo.
Irida Qosja, zv. kryeinspektore pranë Inspektoratit të Punës, thotë se pagesa për vendin e punës është e paligjshme dhe se për këto dyshime po hetohen agjencitë e ndërmjetësimit. Megjithatë, ajo thekson se dokumentimi i këtyre shkeljeve është i vështirë, pasi paratë mund të jenë paguar në vendin e origjinës ose në cash.
Qosja shtoi gjithashtu se Inspektoriati i kishte duart e lidhura edhe për vijimin e kontratave, pasi sipas saj është vendim i punëdhënësit dhe lidhet me performacën në punë. “Të gjithë u nënshtrohemi vlerësimeve të performacës”, tha Qosja.
Sonila Sinaj nga Albania Employment Solution, agjencia që ndërmjetësoi punësimin e punonjësve nga Uganda në “Oricon Coast Luxury Resort”, mohoi të ishte në dijeni të problemeve.
“Mënyra se si një kompani faktikisht i trajton punonjësit nuk është në monitorimin tim dhe e kam të pamundur, fizikisht të pamundur, të ndjek secilin rast deri në trajtimin fundor,” tha Sinaj për BIRN.
“Që nga momenti që ata zbresin në Rinas, menjëherë në mënyrë direkte, përgjegjës është punëdhënësi,” shtoi ajo, ndërsa sugjeroi që personat të denonconin shqetësimet pranë autoriteteve.
Shkelje e të drejtave të njeriut
Pas 16 vitesh qëndrim në Tiranë, pastori Prince C.Mazie ka ndjesi të përziera për Shqipërinë dhe mënyrën se si vendi i trajton të huajt, veçanërisht ata me origjinë nga Afrika. Ai mendon se në Shqipëri ka më pak racizëm dhe diskriminim se në vende si Kroacia apo Hungaria; në 16 vjet thotë ai, nuk është ndaluar asnjëherë nga ndonjë polic që t’i kërkojë dokumentet.
Por ndryshe është historia e të birit, nxënës në një shkollë të Tiranës. Mazie i tha BIRN se djali i tij ishte goditur pa asnjë shkak në rrugë në një rast dhe personi që e dhunoi i kishte kërkuar që të largohej nga vendi.
Për pastorin Prince C Mazie, edhe sjellja e shqiptarëve ndaj emigrantëve është gjithashtu e pakuptueshme. Ai thotë se shqiptarët shpesh ankohen se si keqtrajtohen në vende të tjera të Europës, por po bëjnë të njëjtën gjë me punëtorët e huaj.
“Çfarë mbjell do korrësh, ju po i trajtoni të tjerët pa respekt, çfarë prisni?!” shtoi ai.
Pastori Mazie thotë se bizneset shqiptare po i shfrytëzojnë punëtorët e huaj gjatë sezonit dhe më pas i braktisin në mëshirë të fatit, pa marrë parasysh peripecitë që ata kanë kaluar për të ardhur në Shqipëri.
Ai përmend disa raste konkrete për të ilustruar qëndrimin e tij, kur punëtorët e huaj ishin dëbuar nga bizneset pas dy muajsh punë dhe kishin ngelur rrugëve pa të ardhura dhe pa mundësi për t’u kthyer në shtëpi.
“Kam mesazhe që njerëzve u janë premtuar rroga 1 mijë euro dhe pastaj kur vijnë këtu, punojnë dy muaj dhe i braktisin,” tha Mazie. “Disa nga këta njerëz marrin borxhe, shesin pronat dhe tani nuk kanë ku kthehen më,” shtoi ai. Pastori theksoi gjithashtu se emigrantët kishin frikë të ankoheshin, sidomos kur ishin pa dokumente dhe të paqartë për situatën e tyre ligjore.
Një 29 vjeçar nga Nigeria, që kërkoi të identifikohej si Big J, i tha BIRN se erdhi me shpresa të mëdha në Shqipëri, por u largua forcërisht i zhgënjyer. Ai pretendoi gjithashtu se punëdhënësi i tij, kompania e punimeve artistike P&GG me seli në Petrelë e dëboi bashkë me dy punëtorë të tjerë pas një konflikti, ndonëse kishin leje të vlefshme qëndrimi 1-vjeçare. Ai pretendoi gjithashtu se në dëbim u përfshi edhe policia.
Big J. tha gjithashtu se dëbimi i tij kishte ndodhur pasi një punonjëse nga Kameruni ishte larguar nga puna.
“U largua natën, pa asnjë dokument, nga frika se do e dëbonin,” thotë 29-vjeçari. BIRN konfirmoi në mënyrë të pavarur se vajza strehohej në një qendër të mbrojtjes nga trafikimi në Shqipëri.
Rasti u hetua nga Avokati i Popullit, pas kërkesës nga Andi Rabiajt, drejtor ekzekutiv i Youth Voice Network of Organisations në Shqipëri, i cili u vu në dijeni nga një vullnetar nga Afrika pranë organizatës së tij. Rabiaj i tha BIRN se ajo që kishte ndodhur ishte një shkelje e rëndë.
“Totalisht shkelje e të drejtave të njeriut. Punëdhënësit i jepet e drejta që t’i kthejë pas në rast se nuk i pëlqen ky punëtor. Kjo është absurde, nuk ke blerë një send dhe e kthen pas,” tha Rabiaj.
Hetimi i Avokatit të Popullit nuk zbuloi shumë. Policia mohoi të kishte marrë pjesë në dëbim, megjithëse pranoi, sipas përgjigjes që Rabiaj i vuri në dispozicion BIRN, se kishte marrë njoftim dhe kërkesë nga biznesi për të anuluar lejet e qëndrimit, e shoqëruar kjo edhe me biletat e kthimit.
Administratori i kompanisë P&GG, Gentian Dallashi fajësoi punonjësit nga Afrika për konfliktin e krijuar, duke i akuzuar ata se ‘nuk punonin, gënjenin dhe kishin qenë të dhunshëm’. Ai pranoi dëbimin, por këmbënguli se kjo kishte qenë e drejtë dhe përgjegjësi e tij, sepse ai i kishte sjellë në Shqipëri dhe se kishte paguar shpenzimet.
“Janë në përgjegjësinë time, i çova në origjinë te shpia vet. Lekët i kam pagujt unë të gjitha,” tha Dallashi, ndërsa përdori gjuhë raciste eksplicite në adresë të punëtorëve të dëbuar.
“Po të duan tani të kthehen, Shqipëria nuk është e imja,” përfundoi ai.