Sun, Nov 24, 2024

Nis procesi i numërimit në qarkun kryesor të Xhorxhias, rezultatet priten nga momenti në moment

  • PublishedNovember 5, 2024

 Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Herman, njofton nga qyteti Lawrenceville i Xhorxhias lidhur me numërimin e votave në qarkun Gwinnett pranë kryeqytetit Atlanta.

Në qarkun Gwinnett të Xhorxhias ka filluar procesi i numërimit të votave me postë dhe atyre të hershme. Rezultatet do të publikohen në momentin e mbylljes së qendrave të votimit në 7 të mbrëmjes.

Mbikëqyrësi i zgjedhjeve për qarkun, Zach Manifold, i tha Zërit të Amerikës se rreth 70% e totalit të votave të numëruara do të njoftohen në orët e para pas mbylljes së qendrave të votimit.

“Pas kësaj fillon pritja e gjatë. Të dhënat e para mbërrijnë rreth orës 20:30, në varësi të radhës së votuesve. Kemi 156 qendra votimi që duhet të njoftojnë rezultatet. Qendra e fundit i njofton rezultatet mes orës 23:30 dhe mesnatës”.

Qarku Gwinnett njihet për popullsinë e larmishme, pasi asnjë grup etnik nuk përbën më shumë se një të tretën e banorëve.

“Kemi një larmi të madhe të popullsisë hispanike, aziatike dhe zezake. Kjo larmi përfaqëson Amerikën, prandaj ka interes të lartë rezultati i zgjedhjeve në këtë qark sepse i ngjason Amerikës moderne”, thotë për Zërin e Amerikës, Zach Manifold, mbikëqyrës i zgjedhjeve të qarkut Gwinnett.

Mbështetja e fortë për demokratin Joe Biden në këtë qark katër vjet më parë e ndihmoi atë të fitonte në Xhorxhia.

Që nga viti 1980 deri në vitin 2012, qarku Gwinnett ka votuar për republikanët por i dha një mbështetje pak më të madhe demokrates Hillary Clinton në vitin 2016. Kandidati Trump fitoi në shtetin Xhorxhia atë vit, çka ishte çelësi i fitores së zgjedhjeve presidenciale./VOA