Sun, Nov 24, 2024

U denoncua nga Fiks Fare/ SPAK përfundon hetimet për oficeren e policisë gjyqësore që i mori ryshfet 68-vjeçares në Elbasan

  • PublishedNovember 5, 2024

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet paraprake të procedimit penal nr. 180 të vitit 2024 dhe paraqiti para Gjykatës kërkesën për dërgimin për gjykim në ngarkim të të pandehurës:

A.De akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i K.Penal.

Procedimi penal u nis nga Prokuroria e Posaçme, bazuar mbi pamjet filmike të transmetuara në emisionin investigativ “Fiks Fare” në televizionin AlbaniaWeb.net, të cilat tregonin rastin korruptiv të oficeres së Policisë Gjyqësore, A.D., në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

Në analizë të provave të grumbulluara gjatë hetimit paraprak rezultoi e provuar se e pandehura A.D. ka kryer veprime aktive të kundërligjshme, të cilat konsistojnë në kërkimin dhe marrjen e përfitimit të paligjshëm (prej 1 000 eurosh) nga shtetasja H.Ll. kundrejt premtimit për të mbyllur çështjen në ngarkim të djalit të saj, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a të Kodit Penal. Pasi u njoh me kërkesën e të pandehurës, shtetësja H.Ll i është drejtuar emisionit “Fiks Fare” për ta bërë publik rastin.

Nga të dhënat konkrete të grumbulluara gjatë hetimit paraprak për këtë procedim penal, ekziston dyshimi i arsyeshëm bazuar në prova, se ka qenë e pandehura A.D. me detyrë Oficere e Policisë Gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka pasur një rol aktiv të kundërligjshëm në bisedat me shtetasen H.Ll, duke i udhëzuar vendin dhe datën e takimit si dhe dorëzimin e shumës së parave [mitës].



AlbaniaWeb.net