Wed, Nov 6, 2024

Analiza/ Elbasani i sjell fat bluve, “toka e premtuar” e Dinamos

  • PublishedNovember 6, 2024

Dinamo tashmë e ka selinë e saj në Ar banë, ku ka ndërtuar një kompleks vërtet ndër më të mirët në vend, ndërsa “shtëpia” e dytë e kësaj skuadre është bërë Elbasani. Në pamundësi për t’i luajtur në kryeqytet, klubi ka zgjedhur këtë qytet për t’i luajtur ndeshjet si pritës.

Dhe Elbasani po u sjell fat bluve, aq sa 16 nga 20 pikët e deritanishme në tabelë i kanë marrë pikërisht në fushën e “Elbasan Arenës”. Pas humbjes së javës së parë të kampionatit kundër Egnatias, “Nëndetësja” në këtë stadium ka gjetur ambientin perfekt për të dalë në sipërfaqe dhe për të treguar se është edhe ajo në radhën e pretendentëve.

LEKSION ELBASANIT – Dinamo luan si skuadër pritëse në Elbasan, por duket se po e shfrytëzon këtë stadium në mënyrën më të mirë, sikur të ishte tamam në shtëpinë e saj. Madje blutë kanë bërë më mirë edhe se vetë Elbasani. Edhe pse janë “mysafirë” në fushën e tij, kryeqytetasit e kanë mundur këtë kundërshtar në të dyja ndeshjet që kanë luajtur deri tani. Fazën e parë Dinamo fitoi 2-1, me golin e Bregut në kohën shtesë me penallti, kurse të hënën skuadra e Dajës realizoi plot 5 gola në portën e Elbasanit, duke merituar edhe duartrokitjet e tifozëve vendës. Të dyja humbjet që verdheblutë kanë në kampionat, i kanë pësuar pikërisht ndaj bluve në të njëjtin stadium. Këta të fundit kanë shënuar në total 7 gola në 180 minuta kundër Elbasanit dhe kanë pësuar vetëm 1 gol.

“KALA E FORTË” – Përveç 2 fitoreve ndaj skuadrës vendëse, Dinamo në stadiumin “Elbasan Arena” ka marrë edhe 10 pikë të tjera, me 3 fitoret e regjistruara ndaj Skënderbeut, Vllaznisë dhe Laçit, si dhe me barazimin ndaj Bylisit.

Të tria fitoret e përmendura më sipër janë arritur me të njëjtin rezultat, 2-1. Një “kala” e vërtetë ky stadium për kryeqytetasit, të cilët do ta kenë një “armë” të fortë në pretendimet e tyre, nëse vazhdojnë me këtë ritëm.

DERBI – Për herë të tretë radhazi, Dinamo do të luajë në “Elbasan Arena” në fundjavë. Pas ndeshjeve me Bylisin dhe Elbasanin në pak ditë, këtë herë pret Partizanin në derbin e dytë sezonal ndaj të kuqve. Dy skuadrat i ndan vetëm një pikë në tabelën e klasifikimit dhe pritet një përballje interesante në fundjavë. Blutë vijnë në një moment shumë të mirë pas fitores 5-0 ndaj Elbasanit dhe një loje me nivel të kënaqshëm.

Pretendimet janë për fitoren e radhës në stadiumin e fatit, por nuk do të jetë aspak e lehtë. Dinamo duhet të tregojë se goleada e së hënës nuk ishte rastësi dhe nëse kalon me sukses edhe Partizanin, atëherë do të certifikohej si pretendente në radhën e parë të garës së titullit.


AlbaniaWeb.net