Sun, Nov 24, 2024

Vendimi/ Çmimet për ndërtimet në Tiranë! Kushtetuesja rrëzon Shoqatën e Ndërtuesve, kërkuan shfuqizimin e VKM-së

  • PublishedNovember 6, 2024

Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesat e Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë.

Gazetarja e AlbaniaWeb.net, Anila Hoxha raporton se Shoqata kërkonte shfuqizimin e VKM-së së Qeverisë të vitit 2023, që përcaktonte çmimet mesatare referuese për metër katror sipërfaqe ndërtimi.

Shoqata pretendonte ndër të tjera se ky vendim i Qeverisë kishte masë të konsiderueshme dhe jopropocionale vlerën e taksës së ndërtesës, që cenonte lirinë e veprimtarisë ekonomike, të drejtën e pronës private dhe parimin e sigurisë juridike.

NJOFTIM VENDIMMARRJEJE

Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me kërkuese Shoqatën e Ndërtuesve të Shqipërisë, me objekt shfuqizimin e pikës “a.2” të aneksit 1 dhe shkronjës “dh” të aneksit 2 të VKM-së nr. 457/2023 që përcakton çmimet mesatare referuese për metër katror sipërfaqe ndërtimi për bashkinë Tiranë.

Kërkuesja ka pretenduar se parashikimet e mësipërme të cilat kanë rritur në masë të konsiderueshme dhe joproporcionale vlerën e taksës së ndërtesës cenon lirinë e veprimtarisë ekonomike, të drejtën e pronës private, parimin e sigurisë juridike, në kuptimin e fuqisë prapavepruese të aktit,. parimin e barazisë përpara ligjit dhe mosdiskriminimit si dhe rezervën ligjore.

Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot më 06.11.2024, vlerësoi se kërkuesja legjitimohet ratione personae për të vënë në lëvizje gjykimin kushtetues, pasi VKM-ja parashikon rregullime që zbatohen dhe prekin drejtpërdrejt ndërtuesit, që janë anëtarë të shoqatës.

Për sa i përket legjitimimit ratione materiae, Gjykata vlerësoi se pretendimet e paraqitura ishin me natyrë kushtetuese, prandaj i shqytoi ato në themel.

Në lidhje me pikën “a.2”, të aneksit 1 të VKM nr. 457/2023, Gjykata shqyrtoi fillimisht pretendimet për cenimin e parimit të sigurisë juridike dhe vërejti se argumentet e sjella nga kërkuesja në thelb nuk kishin të bënin me çmimet e referencës të parashikuara nga VKM-ja nr. 457/2023, objekt i gjykimit kushtetues, por me metodologjinë për përcaktimin e taksave të cilat kanë çmimin e references të ndërtesës, si element përbërës të formulës apo metologjisë së përllogaritjes së tyre.

Në këtë këndvështrim, Gjykata vë në dukje se formula e përllogaritjes së taksave e cila rezulton të jetë e parashikuar në ligjin për taksat vendore të vitit 2006, ndryshuar në vitin 2017 dhe e detajuar në VKM nr. 132/2018 nuk është objekt shqyrtimi në këtë gjykim kushtetues. Ndërkohë që kërkuesi nuk arriti të provonte dhe argumentonte as në kërkesën e tij fillestare dhe as gjatë gjykimit në seancën plenare, se pse çmimet e reja të referencës në vetvete cënojnë parimet kushtetuese të pretenduara prej saj.

Duke pasur parasysh se edhe për pretendimet e tjera për cenimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe barazisë përpara ligjit dhe mosdiskriminimit, kërkuesja ka paraqitur të njëtat argumente, të cilat në thelb nuk kishin të bënin me çmimin e referencës, por me metodologjinë për përcaktimin e taksave, Gjykata vlerësoi se këto pretendime nuk mund të merren në shqyrtim.

Në lidhje me shkronjën “dh” të aneksit 2 të VKM nr. 457/2023, Gjykata vlerësoi se nuk cenon parimin e sigurisë juridike në drejtim të paqartësisë së normës, pasi dispozita është e qartë në formulimin e saj, sepse i referehet normës 0,2 % indeksim për ndërtimet e reja, për ambiente jo -banimi, për një periudhë 5 – vjeçare në raport me ambientet e banimit.

Ndërsa në lidhje me pretendimin për cenimin e rezervës ligjore për shkak të mungesës së delegimit me ligj sipas nenit 118 të Kushtetutës, Gjykata vlerësoi se dispozita e kundërshtuar (shkronja “dh” e aneksit 2 të VKM nr. 457/2023) është nxjerrë në përputhje me delegimin ligjor të përcaktuar në nenin 21, pika 2 të ligjit për taksat vendore, i cili parashikon se metodologjia për përcaktimin e këtyre taksave do të bëhet nga Këshilli i Ministrave. Shkronja “dh” e aneksit 2 të VKM nr. 457/2023 është një dispozitë që rregullon metodologjinë e taksave për ndërtesën, prandaj edhe ky pretendim është i pabazuar.

Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi, njëzëri:

– Rrëzimin e kërkesës.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.



AlbaniaWeb.net