Superiore/ Laçi kërkon vazhdimësinë, Elbasani për të harruar humbjen e thellë ndaj Dinamos
Në kampin laçian duan ta zgjasin sa më shumë të jetë e mundur ecurinë e mirë që ka filluar që me ndryshimin e trajnerit.
Me ardhjen e italianit Françesko Moriero, kurbinasit kanë marrë maksimumin e pikëve në fushën e tyre, ku mundën fillimisht Vllazninë dhe më pas edhe Egnatian. Të dielën presin Elbasanin, një tjetër skuadër me pretendime serioze, por forma e mirë e momentin bën që te Laçi të llogarisin vetëm 3 pikë.
Përveç dy fitore radhazi në shtëpi, skuadra e Morieros ka marrë pikë edhe në transfertat me Tiranën dhe Bylisin, duke koleksionuar 8 pikë në 4 ndeshje.
Elbasani vjen pas disfatës me Dinamon dhe do të kërkojë të reagojë me çdo kusht, megjithatë Laçi synon suksesin e tretë radhazi në shtëpi për të dalë nga zona e ftohtë e tabelës së renditjes. Trajneri italian e ka të plotë skuadrën për këtë sfidë.