Ultimatumi tek Elbasani, tani në dorë të ekipit për kthesën
Elbasani kërkon të rikthehet sa më parë te rezultatet pozitive, teksa në situatën ku ndodhen edhe një barazim nuk mund të shihet më si një rezultat i kënaqshëm, siç është cilësuar këto javë të tanishme.
Vetëm tri pikët do të rikthenin qetësinë pas asaj “shuplake” që morën me Dinamon pak ditë më parë në “Elbasan Arena”. Në njëfarë mënyre ky ka qenë edhe ultimatumi i presidentit Llupa në mbledhjen e bërë me skuadrën, ku kërkoi kthesën e menjëhershme. Edhe pse përballë do të kenë një nga ekipet e momentit si Laçi dhe për më tepër në një fushë që konsiderohet gjithnjë si ndër më të vështirat, fitorja është kthyer në një detyrim dhe që në këto momente do të zhbënte edhe atë që ndodhi të hënën me Dinamon.
Për fat te keq, edhe ndaj kurbinasve do të kemi një Elbasan të cunguar nga dëmtimet dhe jo në formën optimale. Siç dihet, Lilaj me Hilën mungojnë për arsye kartonësh, ndërsa Musta, Telushi dhe Kasa janë të dëmtuar, edhe pse po bëhen përpjekjet që të paktën ndonjë prej tyre të jetë i pranishëm në këtë sfidë.
PRESIONI I KLASIFIKIMIT – Edhe pse jemi në ndeshjet e para të fazës së dytë, është ky momenti që dalin në pah skuadrat që kanë synime për të qenë në “Final 4” dhe atyre që luftojnë për mesin e tabelës apo mbijetesë. Elbasani është ndër klubet që e ka bërë të qartë se pavarësisht se vjen nga Kategoria e Parë, ka bërë investime për të qenë konkurruese mes më të mirave. Për këtë arsye, fitorja e rivalëve dhe largimi nga vendi i katërt, kanë rritur presionin në kampin elbasanas që të nisin menjëherë një seri fitoresh, pasi në të kundërt një tjetër hap fals do të komprometonte jo pak situatën në renditje, ndonëse rruga deri në përfundim të kampionatit është ende shumë e gjatë. Edhe pse në skuadër duan ta mbajnë lart moralin, rezultatet e javëve të fundit nuk ia mundësojnë këtë gjë. Kjo është parë edhe në seancat stërvitore të kësaj jave, ndonëse përpiqen të “shuajnë” çdo gjë që ka ndodhur deri më tani.
PRESIONI I TIFOZËVE – Përpos presionit të klasifikimit, Elbasani ka edhe presionin e …tifozëve. Thuhet kështu, sepse në ndeshjet e fundit mbështetësit e kanë shprehur hapur pakënaqësinë ndaj rezultateve dhe më së shumti lojërave të zhvilluara. Deri më tani verdheblutë kanë qenë klubi me më shumë mbështetje, por që nuk kanë ditur ta shfrytëzojnë si duhet këtë gjë, për më tepër që shumë takime i kanë luajtur në shtëpinë e tyre. Edhe në Laç pritet të mos mungojnë tifozët elbasanas, por ndoshta një tjetër hap fals do të sillte edhe më shumë probleme me tifozerinë.