Sat, Nov 23, 2024

Dëmtimet i bëhen “makth”, Sylvinho “kryqëzon gishtat” për Asllanin

  • PublishedNovember 12, 2024

Dy sfidat e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve, kundër Çekisë dhe Ukrainës, janë pa diskutim dy finale në çdo aspekt. Jo vetëm është në “valle” kreu i grupit B1, por këto dy takimet janë dhe një test i fortë për të vërtetuar pjekurinë e këtij grupi. Në momentin më përcaktues, Sylvinho sheh të humbas “pjesët” më të rëndësishme të ekipit përfaqësues.

Gjatë gjithë rrugëtimit në këtë edicion të Ligës së Kombeve, Sylvinho ka qenë i detyruar të bëjë pa shërbimet e dy prej lojtarëve më cilësorë në Kombëtare, Broja dhe kapiteni Gjimshiti. Dëmtimet po kthehen në “makth” për teknikun kuqezi pasi listës së dëmtimeve iu shtuan edhe lojtarë si Kumbulla apo Rey Manaj, Të katër lojtarë në momente të caktuara kanë qenë titullarë në skemat e tij, me Gjimshitin që sigurisht ka qenë i paprekshëm. Kësaj liste iu shtuan edhe Keidi Bare, me mesfushorin që mund të ishte një opsion në çdo moment. Sigurisht, Shqipëria nuk është një përfaqësuese e madhe, katër mungesa të tilla rëndojnë jo pak.

Shqetësuese është edhe gjendja e “regjisorit” kuqezi, Kristjan Asllani. Mesfushori i Inter u pa edhe në seancën e parë stërvitore me gjurin e fashuar, një shqetësim që e mbajti jashtë fushës për afro një muaj. Që nga sfida e fundit kundër Gjeorgjisë, ku gjeti dhe rrugën e rrjetës, Asllani ka luajtur vetëm 20 minuta me Interin, në takimin kundër Arsenal në Champions League. Sylvinho kryqëzon gishtat që Asllani të jetë në kushte optimale për këto dy takime pasi është një lojtar thelbësor për skemat e tij, mungesa e mundshme e Asllanit do të ndryshonte totalisht balancat brenda formacionit të tij.

()


AlbaniaWeb.net