Sat, Nov 23, 2024

Fotoja Familjare e COP29/ Kryeministri Rama takohet me Guterres në Samitin Botëror për Klimën

  • PublishedNovember 12, 2024

Liderë shtetesh, ministra dhe zyrtarë nga 200 shtete të botës janë mbledhur prej dy ditësh në Baku të Azerbajxhanit për të marrë pjesë në punimet e Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike.

I pranishëm në konferencën e Palëve, e njohur si ‘COP29’, është edhe kryeministri Edi Rama.

Takaimi në Baku pritet të zgjasë deri më 22 nëntor dhe është eventi më i madh që Azerbajxhani ka organizuar deri më sot.

Kryeministri është takuar me kreun e OKB, Antonio Guterres.

Në konferencën dyjavore pritet të adresohen përkushtimet financiare për shtetet e varfra që janë prekur nga valët e të nxehtit, stuhitë dhe vërshimet, pasi intensiteti i tyre është rritur për shkak të ndryshimeve klimatike.

Një pritshmëri kryesore nga COP29 është marrëveshja për një Objektiv të Ri Kolektiv të Kuantifikuar të drejtë dhe ambicioz për financimin e klimës. Nismat e propozuara nga Presidenca e COP29 përfshijnë integrimin e veprimit klimatik me qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm, zhvillimin e korridoreve të energjisë së gjelbër, krijimin e zgjidhjeve të ruajtjes së energjisë së gjelbër, avancimin e hidrogjenit të pastër dhe reduktimin e metanit nga mbetjet organike.

Organizatat joqeveritare shqetësohen se samiti ‘COP29’, do të mbetet në hije nga fitorja e Donald Trump. Pas fitores së tij në zgjedhjet e vitit 2016, ai pati urdhëruar largimin e Shteteve të Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit për Klimën.



AlbaniaWeb.net