Sat, Nov 23, 2024

INTERVISTA/ “Të luftojmë për 6 pikë”, Fakaj: Uzuni-Muçi? Sylvinho nuk ndryshon skemë (VIDEO)

  • PublishedNovember 12, 2024

Shqipëria do të sfidojë Çekinë dhe Ukrainën këtë nëntor, teksa do synojë vendin e parë në grup në Nations League. Kuqezinjtë do të kërkojnë të mbyllin në mënyrën më të mirë të mundshme rrugëtimin në këtë kompeticion, teksa pritshmëritë janë të mëdha. Për këto sfida dhe shumë tema të tjera, ish lojtari i Kombëtares,  Ervin Fakaj , bëri analizën e tij në një intervistë ekskluzive për Sport News në News 24. Në bisedën e bërë me Trevisa Tufën, Fakaj foli për elementë të veçantë dhe mundësinë e aktivizimit të tyre në lojën dhe skemën e trajnerit Sylvinho.

 

 

Gjashtë pikë në katër ndeshje, jemi në lojë dy xhiro përpara fundit, çfarë note do i vendosje ekipit përfaqësues deri në këtë pikë të Ligës së Kombeve?

Unë besoj se notat vendosen në fund. Natyrisht që kemi patur ulje-ngritjet tona, por mendoj që kishte një rrjedhë logjike. Vijmë nga një Europian, i cili për nga niveli, është maksimumi jonë. Unë besoj se nuk kemi patur shumë luhatje. Nota deri tani është mjaftueshëm, është e mirë, ajo përfundimtarja është ajo që vendos. Deri në këtë pikë kemi berë ndeshje të mira dhe kemi patur ndeshje “jo”.

 Broja, Rey Manaj, Gjimshiti, Kumbulla, Bare, a është kjo një situatë emergjence, çfarë të shqetëson më shumë?

Nuk është emergjencë, thjeshtë kualitet i munguar. Broja, unë e kam thënë, që është  talenti më i madh. Fakti është se në shumicën e kohës kemi luajtur pa Brojën. Nuk është se na penalizon deri në atë pikë që të në na krijojë problem.

Keidi Bare do ishte rikthim, me atë që kam dëgjuar, është i dëmtuar. Gjimshiti është nga ata që duhet të jetë prezent, por futbolli i ka këto. Gjimshiti na ka munguar thuajse në të katërta ndeshjet e para. Ne në prapavijë i kemi alternativat, është Ajeti, është edhe Ismajli. Për momentin jemi në rregull. Të shpresoj që të marrim diçka pozitive në këto ndeshje.

 A ka Shqipëria një plan B në një situatë të tilla, a është momenti për t’i besuar lojtarëve si Uzuni apo Muçi, a beson se Sylvinho do ndryshojë?

Muçi dhe Uzuni janë të talentuar dhe kanë cilësi, diçka që po e tregojnë në klubet e tyre.

Uzuni është lider te Granada, e tregoi veten në La Liga dhe në La Liga 2. Atë e penalizon mënyra sesi luajmë ne këtu. Uzuni është një sulmues i dytë, gjithmonë duhet të ketë një numë 9-sh përpara. Ne nuk luajmë kështu. Mund të jetë edhe nga krahët, por nuk ka të njëjtat cilësi. E ka patur mundësinë. Sylvinho nuk e ndryshojë skemën për njërin apo për tjetrin, kushdo qoftë.

Muçi është i talentuar. Fanella e kombëtares nuk falet, rrëmbehet. Ti duhet ta rrëmbesh atë, talenti asnjëherë nuk mjafton, ti duhet të tregosh ego. Kur futesh një minutë, dy, apo që nga fillimi, ti duhet të tregosh veten. Trajneri do aktivizojë më të mirët, pasi do rezultatin.

 Të shqetëson Çekia Fakaj, në Pragë zhvilluam mbase ndeshjen më të dobët në erën Sylvinho, na mposhtën në çdo detaj, çfarë ndeshje pret këtë herë?

Çekia është një skuadër e fortë fizikisht dhe luan mirë nga krahët. Duhet të ruhemi nga krahët. Shtatlartësia e tyre na bën që të ruhemi. Besoj se trajneri e ka të qartë nga çfarë duhet të ketë kujdes.

 A vendos kjo ndeshje, Çekia, fatin e Shqiperisë në Ligën e Kombeve?

Varet edhe nga ndeshjet e tjera, ne duhet të luftojmë për 6 pikë. Kjo është e vetmja mënyrë që mos të bëjmë llogaritë e tjerve. E rëndësishme është që ndeshjen e parë mos ta humbasim.  Objektivi jonë është që të mos biem nga grupi. Nëse dalim të parët, është temë tjetër, është bonus.

(J.S/)


AlbaniaWeb.net