Fri, Nov 22, 2024

“Publikut i mungon Ermali i dikurshëm”/ Jul Deda i përgjigjet me ironi Mamaqit

  • PublishedNovember 12, 2024

Pas debatit të hapur nga Ermal Mamaqi për deklaratat e Jul Dedës në lidhje me videot motivuese, aktori Deda i ka kthyer një përgjigje të drejtpërdrejtë, duke i kërkuar Mamaqit të sqarojë qëllimin e vërtetë të videove të tij. Në reagimin e tij, Jul Deda e vë në dukje se megjithëse Mamaqi është i lirë të bëjë video të ndryshme, duhet të sqarojë për kë i drejton ato.

“Pse ishe i mërzitur me mua, Ermal?” – pyet Jul Deda, duke theksuar se marrëdhënia e tyre profesionale dhe miqësore prej 10 vitesh nuk duhej të ndikohesh nga disa video të publikuara “në përgjithësi.” Ai ironizoi duke shtuar se publikut i mungon Ermali i dikurshëm dhe shtoi se njerëzit e arritur në karrierë nuk duhet të kenë mllefe.

Jul Deda ironizoi edhe bastin e vendosur nga Ermali, duke thënë se nuk dëshiron që të bjerë në një nivel ku “t’i shohin njerëzit lakuriq.” Me batutë, ai i drejtohet Mamaqit: “Nuk është se je një pamje që i jep kënaqësi publikut.” Në përfundim, ai përmendi Gentin, duke shtuar se do të flasë personalisht me të për këtë situatë, duke e lënë të hapur mundësinë për një zgjidhje pozitive mes tyre.

Deklarata e Julit:

Ma dërguan videon që kishe bërë për mua; ke treguar shumë kujdes, pavarësisht nga thelbi. Nga një anë qesha me lot, nga tjetra u preka. Më vjen keq që nuk mund të bëj një video si e jotja. E di që mund të mendosh se kam diçka me ty, por pyetja ime është: kujt ia jep këtë sqarim, Ermal? Kjo video është bërë për mua në mënyrë personale. Njerëzit largpamës duhet ta shmangin personalizimin e gjërave. Pse ishe i mërzitur me mua, Ermal? Unë të vlerësoj, ashtu siç më vlerëson dhe ti. Kemi punuar bashkë për 10 vjet, njohim mirë njëri-tjetrin dhe kemi trajtuar shumë fenomene bashkë. Dhe tani u mërzite se ndoshta u mora një ose dy herë me ty?

Të lutem, dil në temë: ku e ke hallin tamam? E di që “mllef” është fjalë e huaj për mua. Ti e di shumë mirë, thua se njerëzit e arritur në karrierë nuk kanë mllefe. Tani më thuaj: kam mllef, apo nuk kam? A duhet të besoj që ke arritur në karrierë, apo që ke mllef? Si ndihesh ti vetë? Publikut i mungon Ermali i dikurshëm, dhe për çështjen e suksesit mund të diskutojmë. Ke filluar dhe me baste… ç’është ky bast?

Unë këtë bast nuk ta pranoj, sepse nuk dua t’i shohin njerëzit dhëmbët, kur të të shohin lakuriq. Nuk është se je një pamje që i jep kënaqësi publikut. Ti pa dashje më dhe një përgjigje pozitive; tani presim edhe Gentin. Për Gentin mos u shqetëso, do flas unë me të.