Sat, Nov 23, 2024

Analiza/ Emrat e rinj të administratës së re Trump dhe debatet e para!

  • PublishedNovember 14, 2024

Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka emëruar këtë javë një sërë emrash që do të drejtojnë agjencitë që trajtojnë çështje të sigurisë kombëtare, nga sekretari i Mbrojtjes tek ambasadori në Izrael. Por gama e përzgjedhjeve ka ngritur pikëpyetje mes ekspertëve.

Ata thonë se disa prej emrave si senatori Marco Rubio, i cili pritet të mbajë pozitën e Sekretarit të Shtetit në administratën e re – janë ekspertë me përvojë, ndërsa të tjerëve sipas tyre, duket se u mungon ekspertiza, apo mbështetja që do t’u duhej për të kryer detyrën.

Analistët vlerësojnë emërimin nga Presidenti i zgjedhur Donald Trump të senatorit Marko Rubio për postin e Sekretarit të Shtetit. Ata thonë se zoti Rubio e njeh mirë politikën e jashtme dhe do të dijë ta pasqyrojë axhendën e administratës së re.

“Mendoj se senatori Rubio, pasqyron në masë të madhe pikëpamjet e gjera republikane për rëndësinë e rolit të Shteve te Bashkuara në botë. Një ndjenjë disi dypartiake mes shumë anëtarëve të Kongresit mbi rëndësinë e mbështetjes së partnerëve dhe aleatëve. Ai është mbështetës i fortë i Izraelit dhe shumë i ashpër në përballjen me Iranin. Mendoj se do të pasqyrojë axhendën e kësaj administrate dhe do ta percjellë shumë mirë atë mesazh. Por se sa do të jetë ai i përfshirë në vendimmarrjet ndërinstitucionale kjo është një tjetër çështje pasi nuk shoh shumë afërsi mes tij dhe Presidentit Trump”, thotë Jonathan Lord i programit për Sigurinë e Lindjes së Mesme, në qendrën për një Qasje të re ndaj Sigurisë në Amerikë.

Por emërimi nga Presidenti i zgjedhur Trump, i Pete Hegseth, gazetar i rrjetit televiziv ‘Fox News’ e veteran lufte, në pozitën e sekretarit të Mbrojtjes, shihet me mëdyshje nga ekspertët.

Ata thonë se ai ka pak përvojë në menaxhim ndërsa do të jetë në krye të agjencie që ka 1.3 milionë anëtarëve të shërbimit aktiv dhe rreth 1 milion civilë që punojnë për ushtrinë.

“Emërimi i Hegseth për pozitën e Sekretarit të Mbrojtjes ishte shumë i papritur dhe i pazakontë. Ai ka kualifikime të shkëlqyera si ushtarak e sa i takon shkollimit, por nuk ka përvojë të nivelit të lartë në çështje të sigurisë kombëtare dhe nuk ka drejtuar kurrë një organizatë të madhe. Presidenti Trump ka të ngjarë që e sheh atë si prishës të statu-quosë në një organizatë që ai e konsideron si të papërgjegjshme”, thotë Mark Cancias kolonel në pension i marinës amerikane dhe këshilltar i lartë i Qendrës për Studime Ndërkombëtare e Strategjike.

Zoti Trump ka dhënë pak detaje mbi politikën e tij të jashtme, por mbështetësit thonë se forca e personalitetit të tij dhe qasja e tij “paqe përmes forcës” do të bëjë që udhëheqësit e huaj të përkulen para vullnetit e tij e të qetësojnë atë që republikanët e quajnë një “botë në zjarr”.

Administrata e parë e zotit Trump u shënjua shpesh në skenën botërore nga politika e tij tregtare proteksioniste, “Amerika e para”, si dhe retorika izoluese, përfshirë kërcënimet për t’u tërhequr nga NATO.

Mënyra se si zoti Trump do t’i përgjigjet luftës së Rusisë në Ukrainë, mund të vendosë tonin e axhendës së tij dhe të sinjalizojë qasjen e tij ndaj NATO-s dhe aleatëve kryesorë të SHBA-së, pasi zoti Biden punoi për të rindërtuar marrëdhëniet kyçe që u prishën nën udhëheqjen e paraardhësit të tij.

Zoti Trump ka qenë kritik ndaj mbështetjes së zotit Biden për Ukrainën dhe ka thenë se nën presidencën e tij, Uashingtoni do të rimendojë rolin e NATO-s. Vitin e kaluar ai i tha agjencisë ‘Reuters’ se Ukrainës mund t’i duhet të lëshojë territor për të arritur një marrëveshje paqeje, diçka që ukrainasit e kundërshtojnë dhe Presidenti në largim Biden nuk e ka sugjeruar asnjëherë.

Duke iu përgjigjur pyetjes mbi arsyet që qëndrojnë pas çdo emri të përzgjedhur nga zoti Trump, eksperti John Simon thotë.

“Qartësisht besnikëria, përballja me Kinën, këto janë gjëra mendoj që kanë ndikuar tek zgjedhjet që janë bërë. Nëse flisni për dikë si Marco Rubio ose Mike Waltz, këta janë njerëz që kanë qenë në Kongres për shumë kohë në pozita që lidhen me politikën e jashtme, janë njerëz që udhëheqësit botërorë i njohin”, thote John Simon ish-ambasador në Bashkimin Afrikan, një organizatë ndërqeveritare, e themeluar për të nxitur unitet dhe solidaritetin mes shteteve afrikane.

Ekspertët shprehën gjithashtu shqetësim për përzgjedhjen e ish-ligjvënëses demokrate Tulsi Gabbard, për postin e drejtoreshës së Zbulimit Kombëtar.

Zonja Gabbard njihet për kundërshtimin e vazhdueshëm të ndërhyrjes amerikane në Siri dhe se është takuar fshehurazi me presidentin sirian Bashar al-Assad në janar 2017, i cili është akuzuar për abuzime të mëdha me të drejtat e njeriut. Takimi ngjalli kritika nga të dyja palët në Kongres.

“Emërimi i Tulsi Gabbard hedh një dritë shumë negative mbi gjithçka tjetër. Si mund të emërosh dikë që ka dëshmuar se është e papërgjegjshme nga pikëpamja e sigurisë kombëtare, e cila që do të ulet në mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, e të mendosh se rezultati do të jetë pozitiv?! Kjo është jashtëzakonisht shqetësuese”, thotë zoti Simon.

Zoti Trump, i cili emëroi ish-guvernatorin e Arkansasit, Mike Huckabee si ambasador në Izrael, do të përballet gjithashtu me një situatë të paqëndrueshme në Lindjen e Mesme, që kërcënon të shdërrohet në një konflikt më të gjerë rajonal. Izraeli po lufton në Gazë dhe Liban ndërsa po përballet me armikun e përhershëm, Iranin. Zoti Trump ka shprehur mbështetjen për Izraelin për të shkatërruar Hamasin në Gazë, por ka thënë se kryeministri Benjamin Netanyahu, një aleat i tij, duhet ta përfundojë punën shpejt.

Zoti Trump pritet të vazhdojë ta mbështesë Izraelin me armë, ekzistenca e të cilit siç ka thënë ai, do të rrezikohej nëse zonja Harris do të zgjidhej presidente, një pohim që administrata Biden e ka hedhur poshtë, duke theksuar mbështetjen e saj të fortë për Izraelin./VOA



AlbaniaWeb.net