Sat, Nov 23, 2024

Problemet me shëndetin, ekspertët mjekoligjorë do vlerësojnë gjendjen e Safet Gjicit, a do vijojë ish-kryebashkiaku qëndrimin në qeli?

  • PublishedNovember 14, 2024

Ekspertët mjekoligjore bënë betimin para gjykatës dhe morën detyrat për vlerësimin e gjendjes shëndetësore të ish-kryebashkiakut të Kukësit, Safet Gjicit.

Ndër detyrat që do ju caktohen janë: të përcaktohet gjendja shëndetësore, të vlerësojnë se ⁠a mund ta marri trajtimin e nevojshëm në burg dhe ⁠a i rrezikohet jeta nga qëndrimi në izolim?

Në seancën e ardhshme ekspertët do të japin vlerësimin e tyre në 23 dhjetor. Sipas avokatit Markeljan Jançe, ish kryebashkiaku vuan nga probleme të sistemit kardiovaskular, zmadhim të aortës dhe diabet të formës së rënduar.

Gjici vuan dënimit për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre. Në kërkesën e tij drejtuar gjykatëses Suela Lika, avokati mbrojtës u bazua në nenin 59/a pika C të Kodit Penal, sipas të cilit një i dënuar që i ka mbetur më pak se 2 vite heqje lirie mund të qëndrojë në shtëpi për shkak të gjendjes shëndetësore.

Safet Gjici i dënuar me 3 vite burgim ka ende për të shlyer 1 vit e 2 muaj dënim të mbetur, ndërkohë aktualisht ai gjendet i hospitalizuar në një spital privat.

Sipas avokatit, problematikat Gjici i ka vuajtur edhe më herët, por gjendja e rënduar psikologjike në burg ka rënduar edhe gjendjen e tij shëndetësore.



AlbaniaWeb.net