Sat, Nov 23, 2024

U zëvendësua nga Elton Alushi/ Tonin Vocaj reagon për herë të parë pas dorëzimit të detyrës: Ndjej detyrimin të…

  • PublishedNovember 14, 2024

U zëvendësua nga Elton Alushi, Tonin Vocaj reagon për herë të parë pas dorëzimit të detyrës.

Ai thekson se situata kriminale në Tiranë ka njohur stabilizim të dukshëm, ndërsa ky vit ka regjistruar vetëm 8 vrasje, nga të cilat vetëm një rast me prapavijë krimi të organizuar, ndërsa 7 vrasje janë zbuluar dhe të dokumentuara me prova ligjore.

Vocaj u zëvendësua nga Elton Alushi, i cili mori detyrën sot në krye të Drejtorisë së Policisë Tiranë.

“Të dashur kolegë dhe bashkëpunëtorë. Sot, ndërsa largohem nga detyra ime si Drejtor i Policisë së Tiranës, ndjej detyrimin t’ju drejtohem me një falënderim të sinqertë dhe të thellë. Kam pasur nderin dhe privilegjin të udhëheq këtë drejtori për katër vite, të ndara në dy periudha, dhe secila prej tyre ka qenë një periudhë angazhimi, sfidash dhe suksesesh të përbashkëta.

Falë bashkëpunimit Tuaj të palodhur dhe përkushtimit të pashoq, situata kriminale në qytetin tonë ka njohur stabilizim të dukshëm. Ky vit ka regjistruar vetëm 8 vrasje, nga të cilat vetëm një rast me prapavijë krimi të organizuar, 7 vrasje të zbuluara dhe të dokumentuara me prova të pakundërshtueshme ligjore. (për vrasjen e ndodhur me date 13.11.2024, po punohet nga një grup i posaçëm hetimor). Reduktimi i krimeve në volum ka qenë i dukshëm është evident një ulje të ndjeshme të vjedhjeve dhe veprave penale kundër personit. Siguria në shkolla dhe lufta pa kompromis kundër shpërndarësve të lëndëve narkotike ka qenë një konstante në punën tonë. Po kështu ky qytet është vizituar nga miliona turistë të cilët falë jush kanë gjetur një ambient të sigurt.

Dua të vë në pah përparimet e arritura në Bashkinë e Krujës, e cila ka kaluar në juridiksionin tonë rreth një vit e gjysmë më parë. Situata e rendit dhe sigurisë atje është shumë më e stabilizuar se më parë, dhe kultivimi i bimëve narkotike në territorin e bashkive Tiranë, Kamëz dhe Vorë është pothuajse inekzistent. Në Bashkinë e Krujës, ky fenomen është përgjysmuar në krahasim me një vit më parë.

Ne kemi përballuar me sukses qindra aktivitete kulturore dhe sportive të të gjitha natyrave. Gjithashtu, kemi administruar qindra tubime e protesta pa incidente të rënda. Këto suksese janë fryt i punës së përkushtuar të secilit prej Jush.

Këto vite në këtë detyrë kanë qenë një nga nderet e veçanta të jetës sime. Vitet që kam kaluar duke punuar përkrah Jush do t’i ruaj gjithmonë në kujtesë me krenari dhe mirënjohje të thellë. Sfidat e kaluara së bashku, për të cilat kemi sakrifikuar dhe kemi punuar pa u lodhur, kanë pasur një qëllim të qartë – të bëjmë qytetin tonë më të sigurt për të gjithë ne. Dhe sot, mund të them me bindje se ia ka vlejtur çdo përpjekje.

Falënderoj nga zemra zëvendësdrejtorët, të gjithë shefat e sektorëve, shefat e komisariateve dhe çdo oficer policie për punën Tuaj të palodhur, përkushtimin dhe profesionalizmin që keni treguar në çdo hap. Do ju jem gjithmonë mirënjohës për mbështetjen e palëkundur, bashkëpunimin e vyer, sakrificat, angazhimin dhe integritetin tuaj”, shkruan Vocaj në letër.



AlbaniaWeb.net