PD e pakënaqur me Celibashin/ Ivi Kaso tregon shqetësimin e opozitës për debatin e votimit elektronik
Tensionet për parlamentarët e 2025 kanë nisur pa u dekretuar ende data e zgjedhjeve.
Qëndrimi i Ilirjan Celibashi që shkon në të njëjtën linjë me socialistët, se në qarkun e Tiranës do implementohet votimi dhe numërimi elektronik prodhoi jo vetëm refuzim, por dhe tone të forta nga ana e demokratëve.
“Ta harrojë Gjiknuri, ta harrojë Edi Rama dhe ta harrojë kushdo tjetër që mund të implementohet nje proces i tillë me kaq dyshime, me kaq pikëpyetje dhe me kaq pak besim nga zgjedhësit pa dakortësinë e opozitës.”, tha Kaso.
Në një dalje për mediat përtej Atlantikut, Celibashi lajmëroi se për votimin elektronik ka nisur konsultimet me të gjithë aktorët politikë, por sekretari për çështjet zgjedhore dhe ligjore ne PD Ivi Kaso, konfirmon për AlbaniaWeb.net se nga ana e KQZ nuk ka as ftesë për bisedime dhe as negociata.
“Ne nuk kemi pasur asnjë komunikim me Celbashin qoftë dhe për qarkun e Tiranës i vetmi njoftim është përmes mediave dhe po përmes mediave i bëjmë te ditur qëndrimin tonë”, tha Kaso më tej.
Arsyeja pse Partia Demokratike është kundër elektronikës te cilën në të shkuarën e kërkoi më ngulm, është mungesa e besimit në teknologjinë e implementuar nga ana e KQZ.
AlbaniaWeb.net