Fri, Nov 22, 2024

NATO: Nuk zbrapsemi nga mbrojtja e Ukrainës! Rusia nxjerr armën e re!

  • PublishedNovember 22, 2024

NATO deklaroi se përdorimi i një rakete balistike eksperimentale me rreze të mesme veprimi kundër Ukrainës nga ana e Rusisë, nuk do ta ndryshojë rrjedhën e konfliktit.

Një lëvizje e tillë, u shpreh zëdhënësja e aleancës, Farah Dakhlallah, nuk do t’i pengojë aleatët e Ukrainës në NATO të mbështesin Kievin.

“Rusia po përpiqet të terrorizojë civilët dhe të frikësojë aleatët e Ukrainës duke përdorur këtë lloj rakete. Por kjo nuk e ndryshon qëndrimin e aleancës”, u shpreh zëdhënësja e NATO-s.

Rusia u shpreh se është e sigurtë që SHBA-ja e kupton paralajmërimin që Moska i dërgoi Perëndimit. ““Mesazhi kryesor është se vendimet dhe veprimet e pamatura të vendeve perëndimore që prodhojnë raketa, i dërgojnë ato në Ukrainë dhe më pas marrin pjesë në sulmet në territorin rus nuk mund të mbeten pa reagim nga pala ruse”, pohoi zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov, që shtoi se Rusia nuk ishte e detyruar të paralajmëronte SHBA-në për sulmin, por gjithsesi i kishte informuar ato 30 minuta para lëshimit. Peskov nënvizoi se pavarësisht të gjithave, presidenti Putin mbetet i hapur për dialog.

Parlamenti ukrainas anulloi ndërkohë sot seancën për shkak të paralajmërimeve për sulme të mundshme ajrore. Edhe pse nga krerët e tij nuk ka pasur një njoftim zyrtar, deputeti Oleksiy Honcharenko shkroi në Telegram se seanca e radhës është caktuar për 22 dhjetor. Shërbimi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës pretendon se raketa balistike e përdorur nga Rusia në Dnipro mund të ketë qenë ndërkontinentale dhe ka të ngjarë të ishte një raketë Kedr (“Cedar”), për të cilën agjencia zyrtare ruse e lajmeve TASS në 2021 raportonte se ishte një raketë e re balistike ndërkontinentale që Rusia ishte duke zhvilluar për zëvendësimin e Yars ICBM.



AlbaniaWeb.net