Mon, Nov 25, 2024

Alban Beqiri, kampion Ballkani, ngre flamurin kuqezi në Serbi: Ndjehem i nderuar të përfaqësoj Shqipërinë

  • PublishedNovember 25, 2024

Alban Beqiri triumfon në Kampionatin Ballkanik të boksit 2024 dhe valëvit flamurin kuqezi në Loznica të Serbisë, aty ku u zhvillua ky aktivitet.
Beqiri fitoi medaljen e artë, ndërsa u shpall për herë të dytë kampion i Ballkanit në peshën 71 kg.

Boksieri, që mban rezultatin më të lartë ndërkombëtar në historinë e e Shqipërisë, si i vetmi medalist në një botëror për të rritur, u shfaq në formë të shkëlqyer.
30-vjeçari shqiptar triumfoi në tri duele në Kampionatin Ballkanik 2024, për të arritur që të shpallej kampion.

Boksieri kuqezi mposhti kundërshtarin serb, Igor Rogiç, në ndeshjen e parë, më pas vijoi me fitore dhe kundër boksierit shqiptar të Maqedonisë së Veriut, Anis Aliut.
Ndërkohë, në finale triumfoi ndaj ukrainasit Matiakubov, nënkampion bote dhe kampion Europe.

Në një prononcim për TCH Beqiri u shpreh “jam shumë i lumtur për këtë arritje. Boksi shqiptar meriton të ngjitet në majat më të larta. Ndjehem i nderuar që përfaqësoj vendin tim dhe flamurin kuq e zi. Mbi të gjitha, jam i lumtur që ky rezultat vjen në prag të festave të Nëntorit”.

Beqiri ka dhe një mesazh për të rinjtë teksa i fton ata ti drejtohen sportit dhe aktivitetit sportiv. “I ftoj të rinjtë që të angazhohen më shumë në sport dhe me aktivitete që i mbajnë të shëndetshëm trupin dhe mëndjen”.

Në kamionate të tilla vendet përfaqësohen me boksierët e tyre më të mirë, profesionistë të fushës. Shqipëria në këtë kampionat përfaqësohej nga nëntë boksierë, të cilët konkurruan dy në kategoritë për të rritur, dy në kategoritë për të rinj dhe pesë në kategoritë për junior


AlbaniaWeb.net