Mon, Nov 25, 2024

Në anën e duhur të historisë përmes rrëfimit të së vërtetës për publikun

  • PublishedNovember 25, 2024

NGA ROMEO GURAKUQI

Përfundimi i luftës në Shqipëri dhe marrja e pushtetit nga ana e komunistëve më 29 nëntor 1944 ishte rezultat i një procesi shumë kompleks ushtarak, politik, social, kulturor, në një vend që kishte vonesa shekullore në shtetndërtimin nacional mbi binarët para-otomanë. Në përfundim të luftës në Shqipëri, pas mbërritjes së partizanëve në Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë, Gjakovë, Prizren, Pejë etj., në territorin e shtetit shqiptar të deriatëhershëm (1941-1944), u ndërtua një regjim dykrahësh, simotër, brutal dhe për pjesën e civilizuar të shoqërisë shqiptare nuk ka pasur një ditë gëzimi të vërtetë, për lirinë e ardhur në vend në një mënyrë të çuditshme dhe të pamerituar. Regjimi që u instalua nga komunistët rezultoi edhe më represiv se sa ato që kishin ndërtuar Italia fashiste dhe posaçërisht Regjenca shqiptare në kohën e mbisundimit të Wehrmacht-it. Objektivi kryesor i komunistëve ishte marrja e pushtetit dhe shkatërrimi i bazës humane të rezistencës kundër ardhjes së tyre, që u përvijua gradualisht në shoqërinë shqiptare.

Pushkatimet pa gjyq dhe proceset gjyqësore kundër “armiqve” të klasifikuar arbitrarisht nga zotnuesit e rinj të Tiranës, që tërhiqeshin në heshtje nga mbrojtja e integritetit shtetëror të viteve 1941-1944, kanë qenë të drejtuara kryesisht kundër klasave të kamura, të qytetëruara dhe të ditura të shoqërisë, me teh të posaçëm komunitetin katolik dhe Kishën Katolike në Shqipëri (ndaj të cilëve do të implementohet një tip Zgjidhjeje Finale nga ana e diktatorit). Përveç procesit të hakmarrjes, objektivat e komunistëve që në procesin çlirimtar dhe në periudhën që vijoi, kanë qenë ato të ndryshimit të strukturës shoqërore dhe ekonomike tradicionale, përmes konfiskimit të pronës private, përfshirë edhe tjetërsimin e pasurisë intelektuale pothuajse të të gjithë elitës drejtuese pararendëse. Pjesa më e madhe e arritjeve të arsimit, shkencës, kulturës, letërsisë, botimeve, teksteve shkollore u fshinë nga qarkullimi. Bibliotekat private u grabitën dhe një pasuri e tërë me dorëshkrime e studiuesve të asaj kohe, në pjesën më të madhe, u vodhën dhe u tjetërsuan në autorësi. Edhe sot e kësaj dite askush nuk është në gjendje të na tregojë fatin e dorëshkrimeve të veprave të dorëzuara në Institutin e Studimeve Shqiptare. Ende sot, nuk ekziston një projekt shtetëror për rikuperimin dhe botimin e atyre veprave që kanë shpëtuar.

Lufta Nacional-Çlirimtare dhe Antifashiste e popullit shqiptar, rinisë ka qenë në mënyrë të padiskutueshme një veprimtari legjitime, siç është çdo e drejtë e rezistencës ndaj çdo okupatori. Bij dhe bija të Shqipërisë dhanë jetë për lirinë e atdheut dhe ato do mbetën përjetësisht në altarin e lirisë së një populli. Mirëpo, paralelisht me këtë, në Shqipëri ndodhi edhe një proces tjetër: ai i shkatërrimit të padallimtë i trashëgimisë së shtetformimit, rendit tradicional kushtetues, politik, ekonomik, social, i balancave të brendshme krahinore dhe religjioze dhe fshirja me dhunë e elitës. Ky proces ndodhi përmes përdorimit përmes të përforcimit të përshkallëzuar të LNÇ/FNÇ dhe UNÇSH, si një ushtri tipike fshatare kjo, e udhëhequr nga komisarët politik, të cilët busull drejtuese kishin parimet e përmbysjes revolucionare, gjegjësisht leniniste dhe staliniste të Shteti Tradicional Shqiptar.

Uzurpimi i pushtetit nga komunistët në Shqipëri duhet studiuar jo aq si një teori dhe praktikë e çlirimit nacional, revolucionit dhe shndërrimit historik madhështor, siç është pretenduar nga ana e historiografisë komuniste në këtë vend për një periudhë të gjatë, se sa si një teknikë e marrjes së pushtetit, që ka qenë e suksesshme, për shkak të ekzistencës së një numri faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm, ndër të cilët spikat vendosmëria për të paraprirë në kapjen e momenteve nga ana e Enver Hoxhës dhe mentorëve të tij Miladin Popoviqit, Dushan Mugoshës, Velimir Stojiniçit. Uzurpimi i pushtetit nga komunistët në Shqipëri përmban edhe një dukuri thelbësore, që e shmang nga modeli i përgjithshëm i uzurpimit, sepse lufta e rezistencës kundër okupatorit u zhvillua në mënyrë të njëkohshme me luftën civile, që rrënoi forcën ushtarake të grupimeve politike tradicionaliste. E gjithë kjo përplasje ndodhte në një vend të ngjizur me vështirësi kombëtarisht, elita e të cilit në vitet e luftës nuk operoi politikisht mbi parimet e antifashizmit, sa mbi nevojën e kalimit të furtunës pushtuese fashiste me sa më pak dëme mbi shtetin dhe kombin.

Ky është dallimi i rastit shqiptar nga vendet e tjera të Europës Lindore dhe Juglindore, që edhe pse duket se ngjason me rastin jugosllav në shumicën e veçorive, prapë ka impostim tërësisht specifik. Ardhja e komunistëve në pushtet ishte pjesë e procesit dhe kohës së ekspansionit të komunizmit në Europën Lindore, që zuri rrënjë në fund të LDB edhe në Shqipëri. Ky proces, si në të gjitha vendet, edhe në Shqipëri, ka ngjashmëri dhe studiuesit mendojnë, se kjo përhapje është realizuar në përputhje me një plan-projekt (blueprint), të përgatitur në Moskë. Në rastin e Shqipërisë, ky plan-projekt është përpunuar në shtabin e Titos dhe është implementuar me dy rezonanca, në “Shqipërinë e vjetër” dhe në “Tokat e Lirueme”, gjegjësisht prej Shtabit të FNÇsë dhe atij të KOSMET-it. Ka prova, që një plan taktik i hartuar në Rusi është ofruar për rastin jugosllav. Moska ka këshilluar Titon, që ai duhej të shmangte aktet, që justifikonin dyshimet britanikëve edhe të forcave të brendshme politike jokomuniste, se lëvizja partizane ishte duke marrë një karakter komunist, që synonte sovjetizimin e Jugosllavisë dhe Shqipërisë.

Dmth., gradualizmi dhe kamuflazhi kanë qenë parimet bazore taktike të projektit të Stalinit për uzurpimin e pushtetit nga komunistët pas luftës. A nuk ishte PKSH dhe LNÇ/ FNÇ, një organizatë që merrte udhëzime dhe direktiva të mirëfillta nga PKJ dhe AVNOJ? A nuk ndoqën komunistët shqiptarë, në mënyrën më të robotuar, të njëjtat taktika, që udhëzoheshin nga Moska dhe përcilleshin me përpikmëri të plotë nga Shtabi Jugosllav i Titos, nëpërmjet emisarëve stacionarë dhe lëvizës? Përgjigja është një Po, pa mëdyshje. Por në rastin e Shqipërisë udhëheqësit komunistë jugosllavë, me bashkëpunimin e përunjur të komunistëve shqiptarë, kishin ndërtuar qartësisht edhe një plan të posaçëm për Shqipërinë, që lidhej me specifikën e një vendi të zmadhuar gjatë luftës, në afërsitë e kufijve etnikë nga fuqitë e mundura të Boshtit Fashist. Për rrjedhojë, trajtimi i rastit shqiptar, marrë në tërësi, kishte nevojë për një operacion të posaçëm dezintegrues dhe riformulues të Shqipërisë së Madhe të krijuar dhe vepruese nga prilli 1941, duke shkatërruar bazën themelore të brendshme njerëzore rezistuese ndaj këtij procesi prapësues. Dmth., jo vetëm vendosje e diktaturës komuniste, por para së gjithash copëtim sërish i këtij vendi dhe nënshtrim në pjesë të veçanta të kombit, madje nukleve më rezistente të tij (Kosovë, Hot, Grudë, Dibër, etj.).

Taktika që ndoqën komunistët shqiptarë nga shtatori i vitit 1942, ishte ajo e ndërtimit të një lëvizjeje të gjerë nacional-çlirimtare, në formën e një fronti nacional-çlirimtar, organizatë kjo që në përfundim të luftës dhe të tërheqjes së gjermanëve nga Shqipëria, u shndërrua në një makineri për uzurpimin e pushtetit nga komunistët në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë. Makineria përmes së cilës LNÇ/FNÇ ia arriti qëllimit ishte Ushtria Nacional-Çlirimtare, e ndërtuar zyrtarisht, më datë, 10 korrik 1943. FNÇ shërbeu si një instrument i rëndësishëm politik për kamuflazhin dhe ndihmoi për të krijuar instrumentet e kontrollit komunist, përtej fasadës së unitetit popullor pluralist. Ndërsa, ushtria shërbeu praktikisht si një Ushtri e Kuqe Shqiptare, me mbizotërim social fshatar dhe përkufizim krahinor jashtë Gegnisë së Mirëfilltë, e drejtuar dhe e komanduar që në fillesë nga PKSH, pavarësisht fasadës së përdorur në kohën e parë dhe përdorimit të suksesshëm të kryengritësve tradicionalë. Ushtria e Kuqe Shqiptare (dmth., UNÇSH) ka qenë faktori kyç në marrjen e pushtetit, mbasi ndryshe nga vendet e tjera të Europës Lindore, Ushtria e Kuqe Sovjetike nuk depërtoi deri në Shqipëri dhe as në tokat e banuara nga shqiptarët në Jugosllavi e Greqi. Por ajo fuqi dhe forca e saj ishte ndikuese në aspektin moral në vend për shkak të kontrollit të EL.

Përsa i përket kamuflazhit, komunistët shqiptarë e kanë përdorur fshehjen e plotë të objektivave, si taktikë, veç në momentet e para të aktivitetit të vet dhe nuk janë kursyer të tregojnë, me herët se komunistët jugosllavë, objektivat e veta ekstremiste, duke djegur fazat ndërmjetëse të skicuara në blue-print-in e lartpërmendur. Kjo kohë e heqjes së perdes së rremë shkon mbase deri në gushtin e vitit 1943. Krijimi i BK, papajtueshmëria e elitës së Shqipërisë së Vjetër me organizatorët komunistë të rezistencës, shpërthimi i luftës civile etj. (nga nëntori i vitit 1943 deri në dhjetor 1945), bëri që kjo taktikë të vinte gradualisht duke u zbehur dhe përdorimi i njerëzve të botës tolerante shqiptare nga ana e komunistëve, ka qenë i reduktuar në disa figura krejtësisht pa peshë dhe lehtësisht të kontrollueshme. Më së shumti, mashtrimi është përdorur në shmangien e terminologjisë komuniste dhe regjimi që po krijohej gradualisht në Shqipëri, nuk u njoh dhe nuk u shpall fillimisht si një diktaturë e mirëfilltë e sovjetëve apo e proletariatit, por si një Republikë Demokratike Popullore. Legjitimiteti formal i këtij regjimi u realizua, në harkun e 14 muajve pas kontrollit ushtarak të Shqipërisë në nëntor të vitit 1944, gjegjësisht në janar-mars 1946.

Studiuesi amerikan Stephen Peters ka përcaktuar se përbërësit për suksesin fenomenal të PKSH kanë qenë një kombinim i ngathtësisë dhe mungesës së mendjemprehtësisë, prej anës së elitës sunduese shqiptare të periudhës së paraluftës; i aftësisë së jashtëzakonshme organizuese dhe përgatitjes ideologjike të emisarëve të Titos, të cilët themeluan PKSH dhe e udhëhoqën atë drejt suksesit gjatë luftës; aftësia, shpirti luftarak, vendosmëria e paepur e komunistëve shqiptarë në përgatitjen e terrenit për marrjen e mundshme të pushtetit, pavarësisht kostove të humbjeve të jetëve njerëzore dhe shkatërrimit të vendit; hyrja e Ushtrisë së Kuqe në Ballkan; dhe dështimi i anglo-amerikanëve për formulimin e një politike të përcaktuar për Shqipërinë e pasluftës. E gjithë kjo shpjegon, se si qe e mundur që PKSH, e cila në qershorin e vitit 1941, kur Gjermania hitleriane sulmoi BRSS, nuk ekzistonte dhe nuk kishte një organizim të vetin në Shqipëri, ia arriti, që brenda një periudhe në më pak se tre vitesh, e kamufluar si LNÇ/ FNÇ, të bëhej zotëruese e pasfidueshme e situatës në vend, madje edhe pa ndihmën e trupave sovjetike.

Por hapësirën kryesore për të arritur këtë objektiv PKSH-së, ia dhanë: gjendja e mjeruar e fshatarësisë në Shqipërinë e Jugut, përçarja e elitës së vjetër politike të Shqipërisë, pamundësia e ish-Mbretit Zog për ta rikuperuar gabimin e tij fatal të mosbërjes së rezistencës së mirëfilltë dhe lëshimit të detyrës shtetërore më 8 prill 1939, mungesa e maturisë politike dhe një lloj bindjeje e kësaj klase të patriotëve të respektuar, të cilët jepnin këshilla për maturi, akomodim, ose pozitë pritjeje përballë forcave të pathyeshme të Boshtit Qendror, ballafaqimi me të cilët, mund t’i shkaktonte vendit rrënim të plotë dhe të shpejtë. Ata mendonin, se Shqipëria ishte shumë e vogël, e varfër dhe aspak e përgatitur për t’i rezistuar makinerisë ushtarake të fuqive të Boshtit Fashist. Ata arsyetuan, se politika më e zgjuar ishin qëndrimet e gënjeshtërta karshi pushtuesit, ruajtja e fuqive dhe rezervave, me qëllim që të përdoreshin në momentin e duhur, në mënyrë që t’i bëhej ballë përpjekjes që komunistët anë e kënd EL po bënin për të marrë pushtetin pas luftës. Po a ishte ky veprimi më i zgjuar dhe më i saktë, në një kohë kur forca e LNÇ sa vinte e rritej dhe bëhej e papërballueshme, për shkak të furnizimit me forca njerëzore nga fshatarësia e Jugut, e rrënuar nga lufta? Veprimet e forcave të ndryshme nacionaliste, në periudhën (pranverën-verë –vjeshtë) e vitit 1944, u kushtëzuan nga pritja e kotë për një zbarkim të mundshëm anglo-amerikan, për të penguar mbizotërimin e komunistëve me frymëzim nga Moska, në Ngushticën e Otrantos.

Në këtë aspekt duhet të theksojmë, se ky qëndrim pasiv, pritës, akomodues dikur edhe negociues me pushtuesin, i elitës së vjetër politike, që formoi dhe drejtoi Shqipërinë në harkun kohor të viteve (1912-1944), nuk është përqafuar nga të gjithë anëtarët e kësaj klase dhe posaçërisht nga brezi i ri i të njëjtave familje dhe nga populli në tërësi. Të rinjtë, studentët, nxënësit dhe intelektualët kanë qenë që në fillim, të vendosur për t’iu kundërvënë okupatorit, madje kanë qenë ata të parët dhe jo komunistët, që kanë ndërtuar strukturat fillestare të rezistencës pasive dhe aktive. Ardhja e komunizmit në Shqipëri nuk ka qenë rezultat i një revolucioni popullor të vetvetishëm, që synonte shkatërrimin e rendit të vjetër dhe krijimin e një rendi të ri, shoqërisë socialiste. Sipas Stephen Peters, ajo ishte në një farë mënyre, produkt i agresionit të vendeve të Boshtit Fashist dhe marrjes mbi vete prej komunistëve, i rolit udhëheqës në lëvizjen e rezistencës. Po ashtu, në Konferencën e II të Quebec, ndërmjet Churchill dhe Roosevelt, mbajtur në shtator të vitit 1944, u vendos se për sa kohë që beteja në Itali vazhdonte, nuk ekzistonin forca në dispozicion në Detin Mesdhe, për t’u dislokuar në Ballkan, përveç disa njësive të vogla zbarkuese britanike në Greqi.

Në këtë mënyrë, fati i Shqipërisë ishte i vulosur edhe nga pamjaftueshmëria forcave ushtarake të Aleatëve Perëndimorë dhe nga një raport i kujdesshëm i tyre me sovjetikët. Pavarësisht se komunizmi nuk arriti në Shqipëri përmes Ushtrisë së Kuqe, depërtimi i sovjetikëve në lindje të Ballkanit, inkurajoi komunistët shqiptarë për të intensifikuar përpjekjet e tyre, gjatë periudhës verë – vjeshtë) të vitit 1944, për eliminimin e padallimtë të nacionalistëve dhe elitës pararendëse shtetformuese. Në këto rrethana, Shqipëria nuk do të ishte bërë komuniste vetëm sikur zbarkimi britanik në Greqi, do shtrihej edhe në Shqipëri. E vetmja gjë, që do të mund të ndodhte nga ky tejkalim i pamarrun vesht paraprakisht ndërmjet Aleatëve antifashistë, mendoj se do të kishte qenë vetëm një notë formale proteste prej anës së Stalinit. Kjo, mbasi ende në këtë kohë Stalini nuk ka pasur një interes të posaçëm dhe njohje të mirë të situatës shqiptare. Ende objektivi i tij në këtë kohë nuk arrinte në Kanalin e Otrantos. Kjo nënkupton, që projekti maksimal i shtrirjes sovjetike nuk e ka përllogaritur që në fillesë Shqipërinë si pjesë të ndikimit. Sllavizmi e Komunizmi nuk kishte rrënjë në këtë vend dhe në momentin e largimit të trupave gjermane, organizimi komunist ishte vetëm një grup i pashtrirë me rrënjë në shoqërinë e Shqipërisë, i udhëhequr nga emisarët sllavomëdhenj të Titos. Mirëpo, ata kishin arritur të krijonin një parti të organizuar shumë mirë dhe të disiplinuar politikisht, e cila kishte si objektiv kryesor marrjen me çdo kusht të pushtetit. Fakti që ata përdorën pjesën më të madhe të aktivitetit ushtarak kundër forcave opozitare ndaj tyre dhe për pastrimin e vendit nga çdo vatër e mundshme rezistence patriotike, është një provë e qartë e ekzistencës së këtij objektivi, të cilin nuk pati një forcë tjetër e brendshme, që ta konkurronte, ose ta ndalonte.

Grupet e ndryshme nacionaliste, prijësit fisnorë dhe krahinorë, vetë elita e vjetër, nuk ia dolën të bashkoheshin në kohë, në një organizim të përbashkët, nuk u orientuan drejt politikisht dhe humbën tempin, duke bërë tratativa mossulmimi me okupatorin. Një pjesë e rëndësishme e tyre, në mënyrë naive, nuk mendonte të zhvillonte as edhe një luftë kundër bijve të brezit të ri, që ishin përfshirë në radhët e organizatës së komanduar nga komunistët dhe u përpoqën me kot, t’i bindnin ata për shkatërrimin që do t’i sillnin vendit pas largimit të okupatorit nazist. Ndërkohë, dëshira dhe objektivi i Aleatëve anglo-amerikanë, shqetësimi parësor i tyre ka qenë i planit ushtarak, më shumë se sa politik dhe nuk lidhej në mënyrë imediate me të ardhmen e rendit të vjetër politik të Shqipërisë dhe fatin politik të shtetit bazuar mbi Kushtetutë dhe respektim të lirive. Nacionalistët nuk kuptuan, se Aleatët Perëndimorë ishin të gatshëm të bënin kauzë të përbashkët me ato organizata në vendet e pushtuara, të cilat mbanin të gozhduara në tokat e tyre sa më shumë divizione gjermane që të ishte e mundshme. Ndërkohë që komunistët jo vetëm që i përgjigjeshin kësaj kërkese të aleatëve në një masë të caktuar edhe formale, paralelisht me objektivin e tyre kryesor, pushtetin, por ishin të gatshëm të bënin vetësakrifikim dhe luftë të pandërprerë. Komunistët kishin bindjen, se përmes fitores së luftës jo vetëm do të largonin okupatorin, por do të fitonin edhe pushtetin, objektivin final të tyre, që ishte pra kontrolli politik i vendit.

Kështu, ata ia arritën qëllimit të luftonin dhe të fitonin një luftë, jo vetëm kundër okupatorëve, por edhe kundër nacionalistëve të të gjitha ngjyrimeve politike, të cilët mbetën deri në fund të përçarë, jo aq të qartë, të pavendosur dhe hapa larg tempit të kohës që rrokullisej marramendësisht. Duke qenë se FNÇ udhëhiqej nga drejtues komunistë të profilizuar në një zonë të caktuar të Shqipërisë së Jugut, edhe pushteti i ardhshëm i krijuar prej tyre në Shqipëri do të jetë jo vetëm një diktaturë ekstremiste, por edhe një sundim njëkrahinor politik, administrativ, ushtarak, jo i përkohshëm, por shumëvjeçar, dhe do rëndojë si zgjedhë e huaj në Gegninë shqiptare për gjysmë shekulli. Qytetarët e Shqipërisë gradualisht do të ndahen në dy pjesë: të besuarit e regjimit të ri, që zgjeroheshin ndër shtresat e vuajtura të zonave fshatare dhe “armiqtë e klasës”, “të dyshimtët”. Të besuarit shërbyen dhe u përdorën gjerësisht nga ekipi politik për të konsoliduar dhe përjetësuar pushtetin e komunistëve të “Zonës së Parë Operative” në Shqipërinë e pas luftës. Ndarja e vendit në sundues të rinj dhe të shtypur dhe të shfrytëzuar politikisht dhe krahinarisht, ndërpreu proceset pararendëse formësuese të unitetit kombëtar, kulturorë e gjuhësor. Për shkak të sundimit të gjatë otoman, Shqipëria ishte penguar për të krijuar individualitetin e vet dhe për të pasur një histori të vetën në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Në vitet 1912-1944 elita shtetformuese bëri gjithçka për ta rikompozuar këtë individualitet historik, kulturor, gjuhësor, nacional dhe politik, bazuar mbi një zhvillim të gjithanshëm të shoqërisë në mënyrë simetrike. Të gjitha arritjet e elitës nacionale që u godit në bllok më pas si kolaboracioniste, u dezintegruan nga pushteti i themeluar dhe drejtuar nga Enver Hoxha, u fshinë dhe sot (2024) vijojnë ende të mos njihen nga brezi i ri. Së bashku me goditjen e elitës kombformuese, komunistët shkatërruan edhe veprën e tyre themelonjëse të krijimit të individualitetit kombëtar, të një ideologjie nacionale albanianiste dhe unitetit të një populli me tri besime fetare dhe dy strukturime të mëdha linguistike dhe formative. Qeverisja njëkrahinare e komunistëve të “Zonës së Parë Operative” do të vazhdonte të ishte e dallueshme për një gjysmë shekulli, të ripërsëritet dhe replikohet në mënyrë të hapur në tranzicion. Kjo qeverisje diktatoriale, preferenciale dhe promovuese e përçarjes mbi baza krahinore, fetare dhe kulturore, ka qenë një sundim kompleks, i strukturuar në të gjitha aspektet e jetës së Shqipërisë. Ai sundim e shpërfytyroi kombëtarisht vendin, shkatërroi me rrënjë çdo arritje europianizuese të tri dekadave pararendëse të elitës që u fundos në LDB, vendosi udhëheqësinë në duar vrasësish të pamëshirshëm, drejtimin e punëve shtetërore ndër koka individësh që në asnjë vend tjetër europian nuk do kishin pasur fatin për të pasur një pozicion të tillë programues dhe komandues të punëve qeverisëse.

Teza që kam parashtruar është se “Shqipëria, nga viti 1945 dhe gjatë gjithë Luftës së Ftohtë ishte një nga nacionet e robëruara të Europës Lindore, të varun, mbajtun nën kontroll, nën një regjim jodemokratik, drejtpërdrejtë ose jo drejtpërdrejtë nga një qendër e kontrollit politik dhe strategjik, dirigjuar në Beograd dhe në Moskë”. Termi “Komb i Robëruar” nuk përdoret për herë të parë nga ana ime: “Captive Nations” (Kombe të Robëruara) është një emërtim i përdorur herët, në komunikimin publik dhe në historiografinë amerikane pas Luftës së Dytë Botërore, për të përcaktuar dhe dalluar, shtetet, kombet që gjendeshin në situacione jodemokratike, nën administrimin komunist, ma së parit, nën diktatin, ose sundimin sovjetik. Bëhet fjalë për shtete të mbajtura nën kontroll të plotë, që kanë dukjen e independencës, por në fakt janë totalisht të nënvendosura, në një sistem jo të lirë politik, shoqëror, ekonomik dhe kulturorë. Këto shtete e kanë pasur të pamundur për të bërë zgjedhje demokratike, të përcaktojnë në mënyrë sovrane përfaqësinë, politikat ekonomike, sociale, kulturore dhe pozicionimin indipendent në fushën e politikës së jashtme.

Kështu, Shqipëria e drejtuar prej Enver Hoxhës, pas vitit 1945, u programua në mënyrë spontane, graduale, paralelisht me forcimin e regjimit komunist dhe zbrazjen e vendit nga forcat tradicionaliste dhe nga anglo-amerikanët, si pjesë e një Njësie Gjeografike dhe Politike, që përfshinte Europën Lindore nën influencën sovjetike. Jeta shoqërore, politike, ekonomia, kultura dhe arsimi i vendit, nga kjo kohë u ndikua nga ky perceptim, nga kjo ndjesi përkatësie strategjike nën këtë strukturë shtetërore kontinentale. Shqipëria shtetërore brenda pak javëve nga çlirimi i vendit dhe largimi i ushtrisë gjermane u shndërrua në mënyrë të qëndrueshme, në një regjim totalitar, që erdhi duke u konsoliduar dhe perfeksionuar, ndërsa shtetit i mëparshëm tradicional iu prish rruga e shtrueme dhe iu shua ekzistenca. Në rrjedhën e vitit 1946, Shqipëria Komuniste, Republika Popullore, u krijua dhe u perfeksionua si një monstër totalitare, ndërsa fati nacional i trojeve shqiptare të shtetit 1941-1944 u shkri nën të njëjtën rrugë në një shtet tjetër, i formatuar njëlloj.

Madje, mund të themi, se përmes atij shteti ku u nënshtruan trojet shqiptare, Jugosllavisë së Titos, u kontrollua Shqipëria e vogël nga Moska, prej vitit 1945 deri në vitin 1949. Procesi përmbyllës i kësaj periudhe thyerjeje të parë është themelimi i Republikës Popullore të Shqipërisë në vitin 1946, prej këtij grupi komunist të udhëheqësve partizanë, të cilët e fituan luftën falë mbështetjes perëndimore dhe frymëzimit sovjetik. Udhëheqësi i tyre, Enver Hoxha, hoqi dorë nga të gjitha interesat e shqiptarëve, që jetonin në Malin e Zi, në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore, për të ruajtur pushtetin e tij dhe për t’u izoluar plotësisht në shtetin komunist, në kufijtë e para Luftës së Dytë Botërore. Me kalimin e kohës, Shqipëria, u njejtësua me vendet e tjera të EL dhe u bë, në qoftë se përdorim shprehjen e profesor Kenneth Jowet të University of California Berkeley, ‘geografically contiguous replica states’ një nga Shtetet e Ngjashme të Afërta, të Njëpasnjëshme Gjeografikisht të Europës Lindore.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë Instituti i Historisë

/Gazeta Panorama